Auditori: Nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë draft të projektligjit për paga

Se ku qëndron Auditori i Përgjithshëm në draftligjin për pagat në sektorin publik dhe cili është qëndrimi i këtij institucioni lidhur me këtë draft, KALLXO.com ka dërguar pyetje në këtë institucion të auditimit.

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në një përgjigje për KALLXO.com, thonë se zyrtarisht nuk e kanë pranuar asnjë draft të Projektligjit për Paga.

Nga ky institucioni i auditimit bëhet e ditur, se kanë zhvilluar takime me dikasterin qeveritarë për punë të brendshme dhe administratës publike, ku kanë ngritur disa çështje lidhur me këtë projektligj.

“Në kuadër të kontakteve tona, kemi zhvilluar takime me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike, dhe njëkohësisht kemi vënë në ndjeni se gjatë hartimit të projektligjit në fjalë, pashmangshmërisht, duhet të merret në konsideratë praktika gjyqësore kushtetuese për trajtimin e institucioneve të pavarura në bazë të parimit të ndarjes së pushteteve në Republikën e Kosovës, siç është konfirmuar edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në rastin KO219/19”, thuhet në përgjigjen e ZKA-së.

Tutje Zyra Kombëtare e Auditimit, mirëpret fuqishëm iniciativën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të materializuar në aspektin juridik një çështje të rëndësishme, siç është krijimi i një sistem unik të pagave në sektorin publik.

Në draftligjin për paga që e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se Auditori i Përgjithshëm ka koeficientin 15.7 , zëvendësi i Auditorit të Përgjithshëm 13.1, dhe pozita tjera me koificientë më të vegjël për pozitat tjera.

Ndryshe, në Ligjin Nr.06/L-111 Për pagat në Sektorin Publik, të vitit 2019, i cili më pas u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, thuhet se Auditori i Përgjithshëm kishte koeficientin 8, zëvendës auditori i përgjithshëm 6.75, ndërsa me koeficientë më të vegjël ishin për pozitat e tjera në këtë institucion.