Greva e punëtorëve të Teatrit të Mitrovicës, nuk pranuan ulje të pagës

Për më shumë se 1 javë, dhjetë punëtorë të Teatrit të Qytetit të Mitrovicës “Muharrem Qena” kanë mbajtur grevë për shkak se pagat e tyre ishin ulur.

Por pas 10 ditë grevë, ata vendosen të shpallin të mbyllur grevën të hënën e kësaj jave.

Ndërprerjen e grevës e ka konfirmuar Faton Deliu, anëtar i këshillit grevist. Sipas tij, greva është ndalur për shkak se shumicës prej tyre i janë plotësuar kërkesat që kanë pasur.

“Nga dhjetë veta sa kemi qenë në grevë, gjashtë na janë plotësuar kërkesat, ndërsa katër të tjerë janë duke u shqyrtuar në Departamentin për Zyrtarë Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Të gjithë e kemi ndërpre grevën” – ka konfirmuar Faton Deliu për KALLXO.com.

Ky grup i punëtorëve të teatrit kishin nisur grevën pasi që kishte pasur ulje të koeficientit për ta.

Deri te ndryshimi i koeficientit për këtë grup të punëtorëve kishte ardhë pasi që ata ishin konsideruar se punëtorë teknikë dhe jo si staf tekniko-artistikë qysh ishin deri muajt e fundit dhe kishin koeficient prej 6.5.

Ky grup grevist pretendon se ndaj tyre ishte e bërë e padrejtë pasi që ne teatrot e komunave të tjera, pozitat e njëjta të punës, cilësohen si staf tekniko-artistikë dhe jo si staf teknik.

Para hyrjes në fuqi të ligjit për paga, punëtorët janë paguar me koeficient 3.8. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ata janë paguar me koeficient 6.5. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës kishte vendosur që përsëri t’i paguajë me koeficient 3.8.

Por pas ankesës së tyre, gjashtë nga 10 anëtarë grevist i kanë kthyer pagat me koeficientët e mëparshëm.

Këtë e ka konfirmuar, Bekim Sadiku, Menaxheri i Burimeve Njerëzore në Komunën e Mitrovicës Jugore.

“Nga 10 nëpunës mbështetës të Teatrit sa kanë parashtruar ankesë, Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë ka kthyer përgjigje vetëm për 6 prej tyre, të cilëve ua ka aprovuar kërkesat dhe i ka vendosur ashtu siç kanë qenë paraprakisht me koeficient 6.5. Ndërsa për katër nëpunësit tjerë ende nuk kemi pranuar përgjigjen e DMZP-së, për të cilët deri në përgjigjen e DMZP-së, koeficientet e tyre janë; Një Nëpunës: Zyrtar administrativ me koeficient nga 5 në 3.96, dy nëpunës të tjerë; krijues dhe përformues të artit dhe kulturës, nga koeficienti 8 në 6.5, si dhe një nëpunës; krijues dhe përformues i artit dhe kulturës nga koeficienti 7.5. në 6.5” – ka thënë Bekim Sadiku nga Komuna e Mitrovicës.

Sabit Sheremeti, ushtrues detyre i Drejtorit të Teatrit të Mitrovicës derisa kishte komentuar grevën e punëtorëve, kishte thënë punëtorëve teknikë i bie të paguhen rreth 200 euro më pak.

“Punëtorët teknikë kanë qenë me koeficient 6.5 dhe diku vlera me të cilën tash i kanë komisioni i ankesave i cili është duke i shqyrtu në Departamentin për Menaxhim Zyrtar dhe Publik i ka kthy në koeficient me mirëmbajtës d.m.th e kanë koeficinetin 3.8. Kurse tre prej tyre nga koeficienti 8 respektivisht 7.5 janë kthy në koeficient 6.5. Përafësisht rreth 200 euro më pak i bie të paguhen këtë muaj” – kishte thënë Sheremeti për KALLXO.com.

Ai e konsideronte të padrejtë për shkak se në teatrot tjera nuk ishin bërë këto ndërhyrje në koeficient.

“Jam edhe Udhëheqës i Asociacioneve të Teatrove të Kosovës. Këto janë shqetësimet e mia për të cilat unë do të vazhdoj të ankohem dhe do t’i shtjerri të gjitha mundësitë për të barazuar të gjitha pozitat në nivel të të gjitha teatrove. Unë sa kam informatë në teatro të tjera për këtë muaj u konfirmohet  ngritje e koeficienteve” – kishte thënë Sheremeti.

Ndërsa punëtori më i vjetër i teatrit, Murat Kajtazi duke treguar për punën që ai bën në teatër, shprehu ankesat e tij për cështjen e pagës dhe uljen e koeficientit.

“Unë jam dizajner i ndriçimit në teatrin “Muharrem Qena”. Prej që u themelu ky teatër, prej vitit 2012 e kam pagën e njëjtë si të gjitha dizajnerët apo mjeshtrit e ndriçimit në teatrot tjera. Unë bëj dizajnin, kam bashkëpunim të ngushtë me regjisorin. E marr tekstin dhe e zbërthej tekstin. Përpara e kam marr pagën 310 euro, tetë muaj e fundit 600 euro, tash kanë vendos me e kthy të kaluarën, po nuk e di pse vetëm neve” – thotë Kajtazi për KALLXO.com.

Ardian Kavaja organizatori i grevës tregon për punën që bëjnë këta punëtorë dhe vështirësitë që hasin të cilat sipas tij janë lartësia në punë si dhe oraret e papërshtatshme.

“E kanë për obligim të kujdesen për skenografinë, për detyrat sa i përket shfaqjes. Aktori p.sh kërkon që orët e shfaqjes të mbahen në orët e vona. Kemi pas raste në 1:00 ose në 2:00 ora të natës. Vjen skenografi e bën skicën, e dorëzon. Punëtorët e skenës duhet të kujdesen për ndriçimin. Çdo ndriçimi është afër 10-15 metra dhe këta duhet me hyp në atë lartësi me rreziku jetën e tyre për m’i plotësu kërkesat dhe nevojat e asaj shfaqjeje. Ka mjete të llojllojshme të rrezikshme. Neve në kontratë na shkruan punëtorë skene. Na jemi staf i teatrit krijues dhe performues” – thotë Kavaja derisa përshkruar punët e tij dhe të kolegëve të tjerë në teatër.