Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Auditori: Gjatë vitit 2022, 56 pozita në Telekomin e Kosovës janë mbuluar me ushtrues detyre

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se 56 pozita gjatë vitit 2022 janë mbuluar me ushtrues detyre mbi afatin e lejuar ligjor prej gjashtë muajve.

Rastet e identifikuara nga Auditori janë: U.D  teknik specialist për mont/demont dhe mirëmbajtje – katër zyrtarë; U.D menaxher regjional – tre zyrtarë; U.D udhëheqës i planifikimit dhe zhvillimit; U.D koordinator për çështje ligjore; U.D mbikëqyrës i riskut; U.D menaxher i kontabilitetit, tatimeve – dy zyrtarë; dhe 50 pozita të tjera janë me nga një zyrtar.

Sipas zyrtarëve të ndërmarrjes, emërimi në pozita Ushtrues Detyre është rrjedhojë e implementimit të vendimeve për revokime të pozitave të cilat kanë pasur lëvizje pa përmbushje të kritereve. Ky emërim është bërë për pozitat vakante sipas nevojave emergjente dhe të domosdoshme të ndërmarrjes, meqë ka qenë e pamundur të hapen konkurse të rregullta, për shkak të natyrës emergjente.

Sipas Auditorit, praktika e mbulimit të pozitave kyçe me U.D për periudha të gjata kohore, përveç se nuk është në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, rrezikon që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme në mungesë të konkurrencës së hapur.

“Kjo mund të ndikojë negativisht në perfomancën e ndërmarrjes në përgjithësi” – thuhet në raport.

Auditori ka rekomanduar që bordi i ndërmarrjes të sigurojë që të zhvillohen procedura të rekrutimit, që këto pozita të plotësohen me kontrata të rregullta.

“Kohëzgjatja e funksionit si U.D nuk duhet t’i tejkalojë periudhat e përcaktuara ligjore” – përfundon rekomandimi i Auditorit.

Bazuar në “Rregulloren për marrëdhënie pune”, kryeshefi ekzekutiv mund të caktojë me vendim një të punësuar si ushtrues detyre deri në gjashtë muaj.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të Telekomit të Kosovës në raportin e saj për vitin 2022.

Raporti i vitit 2021 kishte rezultuar me 29 rekomandime për Telekomin e Kosovës. Deri në fund të auditimit në vitit 2022, sipas Auditorit, 19 rekomandime ishin zbatuar, katër nuk aplikohen më, katër rekomandime nuk janë zbatuar ndërsa një nuk është adresuar ende.