Ilustrim

ATK zhvillon kontrolle për punëtorë pa kontrata edhe natën, kontrollohet një piceri në Prishtinë

Administrata Tatimore e Kosovës është duke zhvilluar aksione në mbarë Kosovën për verifikimin e kontratave të punës së punëtoreve nëpër biznese të ndryshme, të cilat janë duke funksionuar gjatë kohës së pandemisë.

Një aksion i tillë u zhvillua para pak çastesh në një piceri në komunën e Prishtinës, e cila po ushtron aktivitetin pas orës 18:00.

Ky kontroll i ATK-së erdhi pasi gjatë ditës u raportua në KALLXO.com se në këtë biznes janë të angazhuar punëtorë pa kontrata pune.

Për verifikimin e këtyre informacioneve me urdhër të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Nijazi Asllani, u caktua një ekip i inspektorëve tatimorë.

Kontrolli rezultoi me konstatimin e parregullsive. Biznesi po ushtronte aktivitetin pa lëshuar kuponë fiskalë, ndërsa për verifikimin e saktë të punëtoreve mbetet që ATK t’i krahasoje punëtoret e hasur në lokal me punëtorët e deklaruar në sistemin e ATK-së.

Për konstatimet në terren biznesi do të ndëshkohet.

Përpos këtij biznesi, kontroll tatimor për punëtorë të padeklaruar u zhvillua edhe në një nga lulishtet e regjionit të Prishtinës.

Në bazë të informacioneve të raportuara në KALLXO.com, deri më tani janë konstatuar 13 punëtorë pa kontrata pune në tre biznese të ndryshme.

Nëntë punëtorë pa kontrata u konstatuan në biznesin e sigurimeve fizike ndërsa nga dy punëtorë pa kontrata u konstatuan në një auto parking në Prishtinë dhe në biznesin e taksive.

Kontrollet për verifikimin e kontratave të punës së punëtoreve kanë filluar nga koha kur Qeveria e Kosovës e miratoi pakon emergjente fiskale me të cilën pritet t’u dalë në ndihmë edhe mijëra punëtorëve në sektorin privat.

Nga fillimi i vitit 2020 e deri në muajin prill, Administrata Tatimore e Kosovës ka shqiptuar mbi 90 mijë euro gjoba nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com.

Mospajisja e punëtoreve me kontrata pune dhe mosdeklarimi i tyre janë shkelje e ligjit dhe janë të dënueshme sipas dispozitave të ligjit mbi Administratën Tatimore të Kosovës.

KALLXO.com inkurajon të gjithë ata të cilët nuk kanë kontrata pune të raportojnë në platformën tonë dhe në ATK.