Komisioni për Buxhet miratoi në parim projektligjin për ATK-në, sipas Muratit lufton informalitetin dhe evazionin fiskal

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar në parim Projektligjin për Administrimin e Procedurave Tatimore.

Gjatë prezantimit të këtij projektligji para deputetëve anëtarë të Komisionit, ministri i Financave Hekuran Murati tha se me këtë ligj, ndër të tjera, synohet edhe luftimi i informalitetit dhe evazionit fiskal.

“Ky projektligj ka qenë nevojë e domosdoshme, në mënyrë që të përmirësohet dhe të rritet efikasiteti edhe i punës dhe i funksionimit të ATK-së, por po ashtu edhe trajtimi më i mirë i tatimpaguesve, luftimi i informalitetit, por edhe shumë e shumë masa të tjera të cilat tenton t’i rregullon ky projektligj” – tha Murati.

Ai tha se ideja e ligjit është që të rritet efikasiteti i punës në ATK, duke shkurtuar afatet administrative.

“Duke krijuar mekanizma shtesë për luftimin e informalitetit dhe duke zvogëluar transaksionet e parave në të gatshme, qoftë biznes me biznes, apo biznes me konsumatorë” – tha ai.

Sipas ministrit Murati, me këtë ligj do të shtohen mekanizma dhe funksione të tjera shtesë që do duhej, sipas tij, të mbronin të drejtat e tatimpaguesve, në rast se ka ndonjë ankesë.

Po ashtu, Murati paralajmëroi edhe mekanizma shtesë për luftimin e evazionit fiskal.

“Shtimi i mekanizmave të tjerë që janë ndëshkues për ata që shkelin ligjin dhe angazhohen në evazion fiskal, siç është rasti edhe me kufizim të aktivitetit biznesor në pika shitëse ku bëhen shkeljet. Është një projektligj voluminoz” – tha Murati.

Në fund me shumicë të votave Komisioni për Buxhet miratoi në parim këtë Projektligj, për ta proceduar më tutje për diskutim në Kuvendin e Kosovës.