Atiq kërkon nga ZKA-ja që të auditojë Komunën e Mitrovicës së Veriut për dy vitet e kaluara

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq (LVV) ka njoftuar se zyrtarisht ka kërkuar auditimin e kësaj komune për dy vite, për 2021-ën dhe 2022-ën.

“Sot kam kërkuar zyrtarisht nga Zyra Kombëtare e Auditimit që të filloj auditimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut për vitet 2021 dhe 2022”- ka shkruar Atiq.

Dje, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka njoftuar se ka bërë kërkesë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) dhe tek Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) për të kyçur institucionet publike në këtë komunë në mënyrë që të paguajnë energjinë elektrike.

Atiq ka shtuar se ka kërkuar që t’i njoftojnë edhe mbi borxhet që ka kjo komunë.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa më pas është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i.