Jeta në Komunë, Mitrovicë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arsyetimi i Agim Bahtirit për premtimet që nuk i ka mbajtur

I pari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i ftuar sonte në emisionin “Jeta në Komunë” ka arsyetuar disa nga premtimet që nuk i ka mbajtur, e të cilat janë evidentuar nga krypometraxhinjtë e KALLXO.com.

Bahtiri në zgjedhjet lokale në vitin 2017 kishte premtuar se do të ndërtojë tri çerdhe të reja ndërsa tre vite pas ky premtim nuk është realizuar.

“Së pari dua të ju them se çerdhja në Shipol do të fillojë pasnesër dhe do të përfundojë në vitin e ardhshëm, për arsye se kemi pasur pandeminë dhe nuk kemi pasë mundësinë me shpallë tenderin, gjashtë muajt e parë“, tha Bahtiri.

Kurse për dy vitet e para të qeverisje ai ka thënë se nuk kanë pasur mjete financiare për ndërtimin e çerdheve.

“Nuk kemi mujtë se duhet me i nda mjetet dhe kemi pritur se do ta bëjë në bashkëfinancim me ndonjë ministri, të dytën e kemi vendosur dhe e kemi ndarë tokën është me ministrin e Shëndetësi dhe janë ndarë mjetet dhe është shpall tenderi dhe ka filluar edhe ajo sivjet. Këto dyja do të përfundojnë vitin e ardhshëm dhe të tretën ende nuk kemi filluar “, tha Bahtiri.

Po ashtu, Agim Bahtiri nuk e ka mbajtur as premtimin për emërimin e gjashtë grave në drejtori komunale, por sipas tij tre të emëruarat janë mjaftueshëm.

“Për arsye se koalicioni i cili është dashur të lidhet ka qartur balancin… Ne kemi 6 drejtori, unë mendoj se gruaja në Mitrovicë është me shumicë e punësuar edhe shefe ka të mjaftueshme“, deklaroi Bahtiri.

Më 2017 po ashtu kishte premtuar se do të punësonte 3,500 njerëz por krypometraxhinjtë kanë gjetur se as ky premtim nuk është mbajtur nga Bahtiri.

“Unë mendoj se ka kaluar sepse janë 2,200 biznese të regjistruara më 2017 sipas informatave që i kam dhe secili që ka marrë vetëm një person janë 2,200… Kështu që mendoj që është kaluar. Unë e di që secili biznes që regjistrohet duhet të punësoj një njeri.”, tha Bahtiri.

Bahtiri në mandatin e tij të parë po ashtu kishte premtuar edhe transport urban për qytetarët e Mitrovicës, por edhe pas 7 vjetëve qeverisje në këtë komunë kjo nuk është realizuar.

“ Kemi vështirësi ne atë drejtim për arsye se ne kemi një stacion por e kemi një çrregullim të sistemit të transportit me kombi-busa, jemi munduar disa herë më i ndal. E kam pasë plan me i ndërpre, kam thënë më 2013, për arsye se më 2013 për mua ka qenë diçka e re dhe kur e kam kuptuar si kryetar se ndryshojnë gjërat nuk kam shkuar në premtime fare“, tha tutje Bahtiri.