Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Arsyet e pezullimit nga puna të katër zyrtarëve të IML-së pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi sot në një konferencë të jashtëzakonshme për media se janë zhdukur provat e rastit të vdekjes së Astrit Deharit.

Lidhur me këtë ngjarje Haxhiu tha se ishte njoftuar mbrëmë.

E pa u bërë 6 orë nga njoftimi nga ministrja, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se nga puna janë pezulluar katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku ruheshin mostrat e Astrit Deharit.

Të pezulluar nga puna, me vendim të komisionit disiplinor të Institutit për Mjekësi Ligjore janë: Nardi Sheqerxhiu, toksikolog mjekoligjor në IML; Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në  IML, Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në IML dhe Ilirjana Shala, kimiste në IML.

Ministria e Drejtësisë ka treguar arsyet e pezullimit të katër zyrtarëve të IML-së.

“Komisioni Disiplinor në kuadër të IML-së/Ministria e Drejtësisë më datën 8 dhjetor 2022 ka pranuar kërkesën përmes arkivës së IML-së për procedimin e rastit disiplinor ndaj Nardi Sheqerxhiu… Bazuar në vlerësimin dhe gjetjet nga shqyrtimi i lëndës, komisioni vlerëson se ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga Sheqerxhiu, ndaj të cilit njoftohet se ka filluar procedura disiplinore për shkelje të rëndë, që ndërlidhet me ngjarjen e rëndë në laboratorin e toksikologjisë në IML, e pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përgjithshëm të detyrës së tij” – thuhet në vendim.

“Komisioni konsideron të nevojshme pezullimin e Sheqerxhiut për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë” – thuhet në vendimin e marrë sot.

Arysetim i njëjtë është dhënë edhe për tre zyrtarët e tjerë të pezulluar: Flutura Goga, Anila Lakna dhe Ilirjana Shala.

Katër zyrtarët e pezulluar, në bazë të këtij vendimi, deri në marrjen e një vendimi tjetër do të kenë të drejtën e kompensimit në pagë në lartësi prej 50 për qind.

Sot gjatë ditës, ministrja Haxhiu njoftoi se për rastin është njoftuar edhe ushtruesi i kryeprokurorit Besim Kelmendi.

Ndërsa, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, gjatë ditës për KALLXO.com ka konfirmuar se kanë pranuar informacione për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe kanë filluar hetimet lidhur me rastin.

Pezullohen nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore