Instituti për Mjekësinë Ligjore - IML, 8 dhjetor 2022 - Foto: KALLXO.com

Pezullohen nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ky vendim thuhet se është marrë pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas njoftimit, komisioni disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore mori vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve:

Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore,

Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në  Institutin për Mjekësi Ligjore,

Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe

Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.

Vendimi u tha se ka hyrë në fuqi sot, ditën kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mbajti një konferencë për media ku njoftoi për ngjarjen e krijuar.

Gjatë ditës kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka konfirmuar se kanë pranuar informacione për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga laboratori i toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe kanë filluar hetimet lidhur me rastin.