Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Arsim Halili “drejt” pozitës të drejtorit të Radio Kosovës
Arsim Halili, ish-zëvëdesdrejtor i Radiotelevizionit të Kosovës, është kandidati me i poentuar në konkursin për drejtor të Radio Kosovës dhe ky emër ka gjasa të dërgohet në mbledhjen e bordit të RTK-së që mbahet nesër.
Halili në mesin e 6 kandidateve është shpallur më i suksesshmi pas intervistimit me 90.8%.
E dyta është rënditur kandidatja Mirvete Uka me 80.4% ndërsa i treti kandidati Arton Konushevci me 73.4%.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, e ka monitoruar konkursin për drejtor të Radios në fazën e intervistave, në të cilat është shënuar numër rekord i poentimit, numër ky i paevidentuar më parë në konkurse të RTK-së që Kallxo.com ka monitoruar.
Komisioni vlerësues ishte në përbërje prej: Meneta Zekaj (kryetare e komisionit), Rabisha Muhaxhiri, Haki Kika, Adnan Fejza dhe Zhelko Tvërdishiq.
Në ditën e intervistimit anëtarët e këtij komisioni janë mbledhur dhe në prani të monitoruesve kanë përpiluar pyetjet për kandidatët. Pyetjet iu kanë parashtruar njësoj të gjithë kandidatëve. Kandidatët kanë pasur kohë 40 minuta që të përgjigjen dhe të prezentojnë strategjinë e tyre.
Komisioni vlerësues i ka dhënë pikët për kandidatët menjëhërë pasi ata kanë përfunduar intervistimin. Maksimumi i pikëve ka qenë 100. Secili anëtar ka dhënë arsyetimin për poentimin e një kandidati.
Poentimi për Arsim Halilin
Me 99 pikë nga 100 e kishte poentuar anëtarja e komisionit, Rabishe Muhaxhiri, Arsim Halilin, në konkursin për drejtor të Radios; Meneta Zekaj e poentoi me 97 nga 100 pikë, Zhelko Tvërdishiq me 94 pikë, Haki Kika me 80 pikë dhe Adnan Fejza me 84 pikë.
Halili gjatë intervistimit nuk kishte arritur ta prezantojë në tërësi strategjinë e tij për shkak të “volumit” por që komisioni tha që stregjinë e kanë përpara dhe do ta lexojnë edhe pastaj.
Pasi që strategjia nuk u prezantua, BIRN ka kërkuar nga RTK qasje në të që ta lexojë. Përveç kësaj BIRN ka kërkuar qasje edhe CV-të e të gjithë kandidateve por nga RTK kanë thënë se procesi nuk konsiderohet i përfunduar dhe për këtë arsye nuk mund të lejojnë qasje në dokumentet e kërkuara.
BIRN është ankuar në Agjencionë për Privatësi lidhur me këtë ndalesë të qasjes në dokumente zyrtare por ende nuk ka marrë përgjigje.
“Ju njoftojmë se ende nuk është emëruar Drejtori i RTK Radios, andaj edhe procesi konsiderohet i papërfunduar”, kanë thënë nga RTK për BIRN.
Historia e Halilit
Arsim Halili me një vendim të veçantë të drejtorit gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj në RTK është caktuar që të kryejë detyrën e “ndihmësit të drejtorit të përgjithshëm të RTK 2” me një pagë 1,404 euro. Në këtë pozitë u caktua pasi dështoi të zgjidhet si zëvendësdrejtor vitin e kaluar.
Ky post i deritansihëm i Halilit nuk ekziston si pozitë ne organogramin e RTK-së të përcaktuar përmes rregullores “METODOLOGJIA E PËRCAKTIMIT TË NDËRLIKUESHMËRISË SË VENDEVE TË PUNËS”.
Menaxhmentet e kaluara dhe të shkarkuara në RTK ishin kritikuar pse kishin punësuar njerëz në pozita që nuk ekzistonin në organogramin e RTK-së vetëm e vetëm që të rehatonin miq e bashkëpunëtorë. Këto caktime të pozitave ishin kritikuar edhe në raportin e Auditorit.
Ndërsa anëtar i komisionit për të marrë vendimin për drejtorin e Radios ishte Zhelko Tvërdishiq, drejtori i përgjithshëm i RTK 2, personit të cilit Arsim Halili momentalisht ‘i ndihmon’.
Sipas autorizimit të siguruar nga KALLXO.com, Arsim Halili ndihmon drejtorin e përgjithshëm për RTK 2 në “në zgjedhjen dhe shkarkimin e personelit të RTK 2, në përputhje me ligjet që rregullojnë marrëdhëniet e punës, Ligjin e RTK-së dhe Statutin e RTK-së; në marrjen e vendimit lidhur me çështjet e organizimit të brendshëm, në bashkërendimin e punës së njësive administrative të RTK 2”.
Ankesat e kundërkandidatëve
BIRN i ka monitoruar edhe mbledhjen e 20 marsit të komisionit përgjedhës ku janë diskutuar ankesat e kandidatëve. Pretendimi që ngjalli me se shumti diskutime në këtë mbledhje ishte pretendimi i kandidates Mirvete Uka si dhe i kandidatit tjetër, Faton Mehmetaj, të cilët e kontestuan përvojën menaxheriale të kandidatit që ka dalë i pari, Arsim Halilit.
Sipas pretendimit të këtyre dy kandidatëve, përvoja e punës si redaktor i edicionit të lajmeve, nuk është përvojë menaxheriale. Fjala është për redaktimin e një programi të lajmeve.
Njëri prej anëtarëve të komisionit, Shaip Mustafa, i cili është redaktor në Radio Kosovë ngriti dyshime rreth faktit se a duhet pozita e redaktorit të lajmeve të numërohet si pozitë menaxheriale, dhe si dëshmi lidhur me këtë e paraqiti dokumentin zyrtar të RTK-së, i cili i listonte përgjegjësitë e redaktorit të lajmeve ku mbikëqyrja menaxheriale për këtë pozitë ishte zero, që do të thotë nuk mbikëqyr staf por vetëm redakton lajmet.
Ky dokument zyrtar i RTK-së, që më pas Sindikata e RTK-së ia dërgoi disa mediave, tregon që mbikëqyrja menaxheriale e ‘redaktorit të edicionit’ është e paraparë të ketë zero mbikëqyrje menaxheriale. Prej kur është shpërndarë në media ky dokument, kanë kaluar 9 ditë dhe as menaxhmenti e as bordi i RTK-së nuk e ka kontestuar që ky dokument është i i pasaktë dhe i pavlefshëm.
Ky dokument e hap “Kutinë e Pandorës” sepse e komprometon edhe bordin e tanishëm të RTK-së, i cili ia kishte llogaritur si përvojë menaxheriale pozitën ‘redaktor edicioni’ edhe Shkumbin Ahmetxhekajt, drejtorit gjeneral të RTK-së kur e kishin përzgjedhur.
Përllogaritja e përvojës menaxheriale të punës ishte bërë shkak për dorëheqjen e Festim Kabashit, ish-drejtorit të Televizionit të RTK-së, të cilit kjo çështje i ishte theksuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin që e kishte nxjerrë për RTK-në në 2022.
Por, pas shumë diskutimesh komisioni me votat e anëtarëve tjerë Zana Spahiu, Serbolub Kuziq dhe Njomza Nuhaj u vendos që përvoja e punës si redaktor i lajmeve konsiderohet si përvojë menaxheriale, pasi që, sipas tyre kështu është numruar edhe në konkurset e kaluara, ndër to u permend edhe perzgjedhja e Shkumbin Ahmetxhekajt.
Kur kjo çështje ishte ngritur në diskutim në mbledhjen e bordit të datës 23 shkurt, Kallxo.com ishte përjashtuar nga monitorimi nën arsyetimin se “pikat e tjera nuk përbëjnë interes publik për t`u monitoruar”.
BIRN e kishte kontestuar këtë përjashtim të monitoruesit të Kallxo.com nga mbledhja duke kërkuar nga Besnik Boletini, kryetari i bordit të RTK-së, ta arsyetojë me ligj dhe vendim të bordit se si është vlerësuar se çka përbën interes publik. Ky shkëmbim kontestimesh është ende duke vazhduar.
Dyshimet për shkelje të evidentuara nga monitoruesit
Sindikata e RTK-së e ka monitoruar këtë proces dhe ka dalë me vërejtjet e saj. Në këto vërejtje Sindikata, mes tjerash, pretendon se është shkelur Rregullorja për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të lartë të RTK-së pasi që komisioni vlerësues është themeluar jashtë afatit të paraparë në këtë Rregullore.
Sipas Sindikatës, kur është formuar komisioni përzgjedhës fillimisht e ka përfshirë Arta Avdiun, u.d. kryeredaktoren e RTK 1 dhe Ariana Pallatën, u.d. udhëheqëse e marketingut. Gjithmonë sipas Sindikatës, këto të dyja ishin tërhequr nga të qenurit anëtare të komisionit përgjedhës dhe janë zëvendësuar me Rabishe Muhaxhirin, redaktore e komuniteteve dhe Adnan Fejza, udhëheqës teknik.
Sindikata thotë se vendimi për ndryshim komisioni është bërë jashtë afatit të paraparë në rregulloren për përzgjedhjen e menaxhmentit të RTK-së ku thuhet se brenda 3 ditësh nga dita e publikimit të konkursit duhet të formohet komisioni vlerësues.
Monitoruesit e Sindikatës në reagimin e tyre kanë përmendur edhe një detaj interesant, kur kryetarja e komisionit vlerësues, Meneta Zekaj, kishte thënë se poenton me 45 pikë strategjinë e prezantuar nga Arsim Halili ndonëse maksimumi i pikëve për strategjinë ishte 40.
Këtë e ka vërejtur edhe BIRN gjatë monitorimit. Menjëhërë pas fjalës së Zekajt kishin reaguar anëtarët e komisionit dhe administrata duke ia bërë me dije Zekajt se maksimumi i pikëve ishte 40. Zekaj pas kësaj kishte kërkuar falje dhe e kishte arsyetuar si ‘gabim të momentit’.
Anëtarja e komisionit vlerësues, Rabisha Muhaxhiri, e kishte poentuar Arsim Halilin me 99 pikë nga gjithsej 100 sa ishin në total. Gjatë poentimit të saj ajo u shpreh e mahnitur dhe befasuar me përgjigjet e Arsim Halilit.
Madje poentimin e një pergjigjeje me 9 pikë e kishte arsyetuar jo me mosdijen e Halilit por që të mos “flitej se e ka vlerësuar me krejt dhjetëshe”.
Në asnjë konkurs që e ka monitoruar Kallxo.com në RTK, kandidatët fitues nuk kishin arritur të vlerësoheshin me 99 pikë nga ndonjë anëtar i komisionit siç është vlerësuar Arsim Halili nga Rabisha Muhaxhiri, gjë që përbën precedent.
Shkumbin Ahmetxhekaj pritet ta dërgojë emrin e Arsim Halilit si propozim për drejtor të Radios në mbledhjen e bordit që do mbahet më 30 mars.