Bordi i RTK-së mbyll dyert për 'telashet menaxheriale' dhe rregulloren për Festivalin e RTK-së

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës nuk ka lejuar që të monitorohet në tërësi mbledhja e fundit e mbajtur të enjten pasdite.

Rendi i ditës në këtë mbledhje kishte katër pika për diskutim dhe shqyrtim, por mbledhja ka qenë e hapur vetëm për pikën e parë, atë për shqyrtimin e raporteve të punës për muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2022.

Ndërsa, tre pika të tjera të rendit të ditës, si shqyrtimi i rregullores për Festivalin e RTK-së, dhe diskutimi i “disa aspekteve menaxheriale” sipas kërkesës së anëtares së bordit Shukrije Rama dhe pikës së fundit të rendit të ditës, të ndryshme, bordi është deklaruar se janë diskutime me dyer të mbyllura.

Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini pas përmbylljes së diskutimeve për pikën e parë të rendit të ditës, tha se pikat e tjera nuk përbëjnë interes publik për t`u monitoruar.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka dërguar pyetje për anëtaren e bordit të RTK-së, Shukrije Rama për të pyetur se çfarë kishte për të diskutuar në mbledhje, por deri në publikimin e këtij raporti, ajo nuk është përgjigjur.

Në fillim të javës, të hënën më 20 shkurt, Komisioni për Administratë Publike dhe Media diskutoi mbi gjendjen në transmetuesin publik, takimi ishte thirrur nga opozita.

Në këtë takim fjalën për diskutim e mori edhe anëtarja e bordit të RTK-së, Shukrije Rama. Ajo tha se dëshiron t’i përmend disa shkelje nga ana e drejtorit, Shkumbin Ahmetxhekaj që kanë ndodh në televizionin publik ndërsa përmendi edhe tendencën, sipas saj, për frikësim, nga drejtori, Shkumbin Ahmetxhekaj.

“Ndjenja e vetme e pakëndshme që e kam përjetuar gjatë mandatit tim ka qenë tendenca për frikësim nga ana e drejtorit të përgjithshëm përmes një ankese drejtuar anëtarëve të bordit. Si tentativë për të më penguar, për të ma mbyllur gojën dhe për të ma ndal zërin sa i përket artikulimeve të çështjeve e problemeve relevante dhe aktuale në RTK, për të cilat jemi të gjithë përgjegjës” – tha të hënën Shukrije Rama.

Por, kur Rama dëshironte t’i përmende disa pika të problemeve që kanë ndodhur në RTK, anëtarët e bordit propozuan që ato fillimisht të diskutohen në një mbledhje të vetë bordit e pastaj të vijnë për diskutim në një mbledhje tjetër të Komisionit.

Në këtë situatë reagoi anëtari i Komisionit për Media, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Nuk e kuptoj, pse po don me u ndal një zë i një anëtari të bordit, së pari nga anëtarët e Komisionit, nga kryetari. Në fund të ditës, ne këtu jemi të mbikqyrim punën e bordit, ne duhet t’i dëgjojmë shqetësimiet…” – theksoi ai.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes u diksutua edhe për punësimet partiake në RTK, por anëtarja e bordit të televizionit publik tha se RTK nuk janë të punësuar vetëm simpatizantë të partisë në pushtet, por pozita drejtuese në RTK kanë favorizues të të gjitha partive.

“Ne prej që jemi ardhur si bord janë bërë edhe emërime tjera në pozita redaktoriale dhe (të tillë) në pozita kyçe janë të gjitha partive tjera, kështu që ne në RTK kemi “koalicion me të gjithë”, mos dyshoni…” – deklaronte Rama.

Anëtarja e bordit të RTK-së thotë se ka tendencë për frikësim nga drejtori gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj