Arrestohet një person për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje në Prishtinë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje.

Në njoftimin e Policisë thuhet se në kuadër të veprimeve operative që po kryejnë zyrtarët policor të Rajonit të Prishtinës, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave kriminale, sot nga zyrtarët e stacionit policor Veriu në Prishtinë, është arrestuar një person i  dyshuar për dhunë në familje dhe  armëmbajtje pa leje.

Policia thotë se arrestimi  është realizuar në fshatin Koliq, pas raportimit të një rasti të dhunës në familje.

Tek i dyshuari Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri dhe 27 fishekë.

Ndaj personit të dyshuar në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast për veprat dhunë në familje dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Në komunikatë theksohet se personi i arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendër të mbajtjes.