(Ilustrim)

Arrestohet në Shqipëri biznesmeni turk i kriptomonedhave

Faruk Fatih Ozer, themeluesi i kompanisë Theodox, e cila merret me shkëmbimin e kriptomonedhave, i cili dyshohej që ishte larguar nga Turqia me asetet e klientëve të tij, është arrestuar në Shqipëri, tha të martën ministria e Brendshme turke.

Turqia lëshoi një urdhër arrest ndërkombëtar në prill të vitit të kaluar për biznesmenin, Faruk Fatih Ozer, i cili u arratis me një pasuri prej 2 miliardë dollarësh.

Vlerësohet se mashtrimi i kësaj kompanie ka prekur rreth 391.000 persona me rreth 2 miliardë dollarë investime.

Tirana ka informuar ministrin e Brendshëm turk, Suleyman Soylu se Ozer, i cili kërkohej nga Interpoli, “u arrestua në Vlorë, Shqipëri”, tha ministria turke.

Ministria tha se “procedurat e ekstradimit për në Turqi kanë nisur”.

Në një deklaratë të martën, Policia shqiptare tha se një shtetas turk 28-vjeçar ishte arrestuar në një hotel në Himarë, qytet i vogël në jug të Shqipërisë.

Faruk Fatih Ozer, kërkohej për akuzën e “mashtrimit duke përdorur sistemet e informacionit, bankat ose institucionet e kreditit dhe krijimin e një organizate kriminale”.

Zyra e kryeprokurorit të Stambollit kishte nisur hetimet pas ankesave nga përdoruesit të cilët nuk mund të qaseshin në pasuritë e tyre.

Ozer tha në prill të vitit 2021 se kompania e tij ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh.

Sipas tij, kompania pezulloi përkohësisht aktivitetin, pasi llogaritë treguan një aktivitet të pazakontë për shkak të një sulmi kibernetik. Ozer gjithashtu tha që pretendimet se paratë ishin zhdukur ishin të pavërteta.

Banka qendrore e Turqisë nga 30 prilli 2021 ka ndaluar përdorimin e kriptomonedhave në pagesa për mallra dhe shërbime, me arsyetimin se ato “sjellin rreziqe të konsiderueshme” sepse tregu është i paqëndrueshëm dhe nuk ka mbikëqyrje./REL