Arrestohet i dyshuari që tentoi ta vrasë policin në Pejë

Një burrë është arrestuar nën dyshimin se tentoi ta godasë me veturë një zyrtar të Policisë së Kosovës në Pejë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ozdrim përderisa ngjarja është iniciuar si vrasje në tentativë.

I dyshuari A.G., pasi kreu veprën penale u largua nga vendi i ngjarjes.

Lidhur me rastin KALLXO.com ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Pejë.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi ka treguar se i dyshuari është ndaluar për 48-orë, teksa ka shtuar se pritet që të merren edhe masa të tjera ndaj tij.

“Me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë, kurse brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesa për paraburgim” – tha Nikçi.

Në raportin 24-orësh policor u njoftua se viktima ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor.

Po ashtu u tha se vetura e dyshuar ishte gjetur e braktisur.