BURIMI I FOTOS - FCB - Leotrim Murtezaj

Arrestohet i dyshuari i dytë për sulmin ndaj drejtorit të inspeksionit në Pejë

Mbrëmjen e 16 nëntorit pas mesnate në një lokal në Pejë, është sulmuar drejtori Drejtorisë së Inspeksionit në Pejë, Leotrim Murtezaj , i cili ishte së bashku me dy zyrtarët e tjerë, Mentor Beqirin dhe Dardan Berlajollin.

Policia në rajonin e Pejës ka njoftuar sot se përveç të arrestuarit të parë Ardian Qela në lidhje me këtë rast, është arrestuar edhe i dyshuari i dytë.

Sipas policisë, i dyshuari Mehmet Kollqaku i cili ishte në arrati që nga 16 nëntori, është arrestuar në vendkalimin kufitar në Merdare.

“I dyshuari së bashku me një të dyshuar tjetër i cili është arrestuar me datë 18 nëntor, më datën 16 nëntor rreth orës 00:50 në një lokal në Pejë, kanë sulmuar tre persona të cilëve ju kanë shkaktuar lëndime trupore, me ҫ’rast viktimat janë dërguar në spitalin rajonal Pejë për tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje policia ka njoftuar se ndaj Kollqakut është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore.

KALLXO.com ka raportuar edhe për arrestimin e Ardian Qela, dy ditë pasi që kishte ndodhur rasti, në pikën kufitarë në Vërmicë.

KALLXO.com kishte publikuar edhe reagimin e të dyshuarit, Ardian Qela, i cili për para arrestimit kishte thënë se ai bashkë me disa shokë të tij kishte dalë në një kafeteri të Pejës në të cilën ishte prezent edhe drejtori i Inspeksionit Leotrim Murtezaj bashkë me disa perona të tjerë.

Qela ka treguar se janë përshëndetur me Leotrim Murtezajn dhe me një shok të tij, i cili sipas Qelajt është inspektor në Drejtorinë e Inspeksionit.

Sipas Qelajt situata ka eskaluar pasi shoqëruesi i drejtorit të Inspeksionit Leotrim Murtezajt i ka thënë atij se a po më njeh mua.

“Shoqëruesi i drejtorit Leotrim Murtezaj më është afruar te tavolina dhe me ka thënë se apo më njeh, kurse unë ia kam kthye se jo. Ai më tha se ke me më njoftë. Pas pak shoqëruesi i Leotrimit e sulmoi një shok timin me të cilin ishim bashkë dhe aty ka filluar gjithçka”, ka treguar Qela për KALLXO.com.

Sipas tij, ai nuk ka pasur dhe as nuk ka probleme me drejtorin e Inspeksionit Leotrim Murtezajn.

“Shoqëruesi i Leotrimit e ka sulmu i pari një shok timin dhe aty filloi gjithçka. Por lokali ku kemi qenë ka kamera të sigurisë dhe besoj se filmimet do të tregojnë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë. Filmimet do të tregojnë se unë nuk e kam sulmuar askë”, ka thënë Qela.

“Unë nuk jam dorëzuar në polici ende, por këtë do të bëjë të hënën. Në polici do të shkoj bashkë me filmimet e kamerave. Dhe nuk i jam dorëzuar policisë sepse nuk po kam besim. E kur t`i siguroj filmimet do të dorëzohem, sepse aty do të dalë e vërteta në shesh”, ka thënë Qela për KALLXO.com.

Qela ka thënë se ka muaj që lokalit të tij Komuna e Pejës nuk po i jep liçencë për të shitur alkool në lokalin e tij “Arthur-s”.  Sipas tij lokalet përreth shesin alkool me apo pa liçencë të Komunës, kurse atij nuk po ia japin licencën.

“Unë disa herë kam apliku për liçencë, por nuk po ma japin. E kam takuar para një jave në rrugë drejtorin, Leotrim Murtezajn dhe ia kam shprehur shqetësimet e mia që nuk po ma japin liçencën. Kemi bisedu dhe jemi ndarë si miq”, ka thënë Qela.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Qela po dyshohet se bashkë me Mehmet Kollqakun, i cili gjendet më arrati, i ka goditur me grushte dhe shishe Leotrim Murtezajn, Mentor Beqirin dhe Dardan Berlajollin.

Në seancën e 20 nëntorit të mbajtur në Gjykatën e Pejës KALLXO.com merr vesh se Qelajt, pronar i  lokalit “Arthur-s”, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Vendimi i Gjykatës për biznesmenin e dyshuar për sulm ndaj drejtorit të Gazmend Muhaxherit

.