ILUSTRIM: Arrestimi i një të dyshuari- Policia e Kosovës

Arrestohen 3 persona dhe konfiskohen mbi 50 kilogramë marihuanë në Prishtinë

Në një operacion të Policisë së Kosovës në Prishtinë, i zhvilluar nën masa të veçanta të hetimit janë arrestuar 3 persona të dyshuar dhe janë konfiskuar mbi 50 kg drogë.

Dje, rreth orës 18:50, në një parking të automjeteve në Prishtinë, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas një hetimi që kishte nisur qe disa muaj ka zhvilluar një operacion policor ku janë arrestuar 3 persona nën dyshimin se kanë kryer vepër penale e sanksionuar me ligj, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”

Tre personat e  dyshuar në momentin e ndalimit kanë qenë duke shkëmbyer sasi të substancës narkotike dhe janë arrestuar nga njësitet antidrogë të Policisë së Kosovës.

Në këtë operacion policor janë sekuestruar: 51 kg e 664.6 gram substancë e dyshuar narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit Marihuanë, 3 vetura, 8 telefona celularë, 980 euro, 30 franga, 1 dollar dhe para të gatshme.

Në vendngjarje po ashtu kanë dalë edhe Njësiti i Forenzikës së PK-së për procedura të nevojshme.

Në lidhje me rastin janë bastisur tri lokacione në Viti dhe gjatë bastisjes është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë me dy tyta, 32 fishekë të kalibrit të ndryshëm dhe 51.9 kg duhan.

Me vendim të prokurorit kompetent, tre personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.