Bekim Jashari. Foto: Facebook

Arrestimet nga Specialja, kush sipas Bekim Jasharit e ka "mizën mbas veshit"

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, e kishte quajtur spektakël aksionin për arrestimet në OVL të UÇK-së. Sipas tij, mbrapa kësaj “dikush po tenton të ruajë veten”.

Jashari gjatë debatit “Jeta në Komunë” u pyet nga Jeta Xharra se kush sipas tij po tenton të ruajë veten.

 “Ata që e kanë mizën mas veshi. Emra nuk jap. Edhe pa dyshim që ka qenë spektakël, sepse të gjitha ftesa e dëshmitarëve kanë shku në një mënyrë njerëzore me një ftesë. Pse u dashtë më shku gjithë ai spektakël, me polici prej mëngjesit kur kanë mujtë me një ftesë”, u shpreh kryetari Jashari.

Kujtojmë se më 25 shtator në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin arritur pjesëtarë të shumtë të Policisë së EULEX-it të cilët filluan të bastisin zyrat e kësaj organizate.

Kjo bastisje u bë disa ditë pasi kjo organizatë ka pranuar tri dosje radhazi që sipas tyre përmbajnë dokumente nga hetimet që po bëhen në Dhomat e Specializuara, Gjykatë kjo që ka mandat  të hetojë krimet e luftës të kryera në Kosovë nga viti 1999 e tutje.

Në të njëjtën ditë u vu në pranga Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati nga kjo organizatë. Aksioni vazhdoi deri në mbrëmje.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari iu kishte bashkuar veteranëve dhe qytetarëve të tjerë në përkrahje të tyre.