Armend Zemaj: E kemi siguruar një pjesë të vaksinave nga COVAX
Ministri i detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se është siguruar një pjesë e konsiderueshme e vaksinave nga COVAX. Ai ka thënë po ashtu se Kosova, nuk do të pranoj vaksina as nga Serbia e as nga Rusia.
“Ne nuk do të marrim vaksina nga Serbia dhe as nga Rusia. Një numër të konsiderueshëm të vaksinave e kemi siguruar nga COVAX”, tha ai, në mbledhjen e Komitetit për Vlerësimin dhe Koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 që është mbledhur sot ku edhe është diskutuar gjendja epidemiologjike në vend.
Zemaj ka thënë se është rritur numri i rasteve të reja me COVID-19 në vend gjatë javë së fundit.
“Andaj, duhet të vazhdojmë me disiplinë. Furnizime për këtë fazë ka dhe duhet të intensifikohen masat, e policia, Inspektoratet duhet të kryejnë punën e tyre”, tha ai.
Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani theksoi se është brengosëse është rritja e numrit të rasteve të reja me COVID-19 si dhe vdekjet e shumta.
Ramadani ka apeluar për respektim të masave duke shtuar se janë duke pritur për fillimin e testimit për variantin e ri të COVID-19 në Kosovë.
“Numri i vdekjeve dhe rasteve është në rritje dhe brengosëse sigurisht nga mos-respektimi i masave. Duhet të vazhdojnë ndalesat për tubime që të mos kemi përhapje më të madhe. Ne jemi pothuajse gati për sekuencionimin e variantit të ti, vetëm po presim që të vijnë reagencat dhe të fillojmë me testimin e variantit të ri në Kosovë”, tha ai.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka thënë se Klinika Emergjente dhe ajo e COVID-19 vazhdojnë të mbesin të mbingarkuara.
“Aktualisht kemi 573 të hospitalizuar. I lus të gjitha komunat që të ofrojnë shërbime ambulatore të vazhdojnë ato dhe të mos e pengojnë punën e specialistëve në mënyrë që të ofrojnë shërbimet e nevojshme për pandeminë”, tha ai.