ILUSTRIM

Arben Vitia: Shumë shpejt do të jenë të gatshëm mbi 500 shtretër për pacientët me coronavirus

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se shumë shpejt do të jenë të gatshëm mbi 500 shtretër në nivel të Kosovës për të prekurit e mundshëm më coronavirus.

Sipas tij, ky numër mund të dyfishohet nëse paraqitet nevoja.

“Sektori publik është duke marrë masa dhe në një kohë mjaft të shkurtër do të jenë të gatshëm mbi 500 shtretër në territorin e Kosovës për të sëmurët eventual dhe në rast nevojë ky numër do të dyfishohet”, ka treguar ministri Vitia.

Ai ka bërë të ditur se pacientët e prekur me coronavirus në Kosovë i janë përgjigjur pozitivisht trajtimit me barnat remdesivir dhe favipiravir. Trajtimi i tyre më këto barna ka qenë i suksesshëm sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vitia në një konferencë për media tha se derisa në botë ende nuk ka ndonjë protokol të kujdesit ndaj të prekurve me COVID-19,  përdorimi i këtyre dy medikamenteve ka qenë i suksesshëm.

Ai më tej tha se tashmë kanë kontaktuar prodhuesit dhe presin që sa më shpejt t’i pranojnë ato.

“Pasi COVID-19 është sëmundje e re dhe ende nuk ka ndonjë ende nuk ka protokol të trajtimit me anti viral, dje dhe sot kemi marrë informacionet e para se disa nga anti viralët si remdesivir dhe favipiravir janë treguar të suksesshëm në trajtimin e të infektuarve. Menjëherë sot janë kontaktuar kompanitë prodhuese por edhe ambasadat sic është edhe ajo e Japonisë dhe po shpresojmë që një kontigjent të këtyre barnave ta marrim sa më shpejt”, tregoi Vitia.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar edhe një aparat tjetër për kryerjen e analizave për COVID-19.

“Kemi siguruar edhe një aparat tjetër RT PCR, i cili do të hyjë në funksion qysh nesër”, tha Vitia.

Gjithashtu në konferencë, ministri Vitia tha se  në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Instuitutit Kombëtar të SHëndetësisë Publike janë 1000 teste për personat të cilët dyshohet më COVID-19, ndërsa shumë shpejtë pritet të vijnë edhe 7000 të tjerë.

“Momentalisht në Institutin e Shëndetësisë Publike janë 1000 teste dhe pardje me urgjencë janë porositur edhe 7 mijë të tjera që do të vijnë në fillim të javës që vjen dhe po ashtu është përgatitur kërkesa edhe për teste shtesë pas tyre. 13 pacientë janë duke u trajtuar në QKUK dhe janë në gjendje stabile përvec përsonit 77 vjecar, i cili herë pas here ka nevojë se për oksigjenoterapi”, tha Vitia.

Kujtojmë se në Kosovë, nga 13 marsi deri më sot janë shënuar 20 persona të prekur me coronavirus.

Ndërsa në botë ky numër ka arritur në 219,565 persona. Sipas të dhënave të fundit, deri më tani 84,006 persona janë shëruar dhe 8,941 kanë vdekur.

Vendi me më së shumti të prekur me coronavirus në botë është Kina, me 81,118 të prekur, prej tyre 70,506 janë shëruar dhe 3,249 kanë vdekur. Vendi i dytë me më së shumti të prekur është Italia, me 35,713 persona të prekur me coronavirus, 4,025 persona të shëruar dhe 2,978 të vdekur.