Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arben Vitia: Nuk do të ndërtojmë spital për COVID-19

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje Arben Vitia, ka thënë se nuk do të ndërtojnë spital të veçantë për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

“Një spital i veçantë për COVID-19 nuk ka dhënë rezultate të mira. Nuk do të investojmë në një spital të veçantë e sidomos në një vend si Kosova ku kemi mungesë të resurseve materiale dhe të specialistëve”, tha Vitia në DebatPernime.

Vitia tha se do të bëjnë vlerësimin e nevojave duke filluar nga diagnostikimi, kurimi dhe rehabilitimi dhe duke shtuar kapacitete e shtretërve, pajisjeve diagnostifikuese dhe furznimin me barna dhe mjete tjera të nevojshme.

Albin Kurti së bashku me ekipin e tij, Glauk Konjufca, Arben Vitia, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Jeta Statovci, Mimoza Kusari, Rozeta Hajdari nga Lëvizja Vetëvendosje, sonte janë të ftuar në #DebatPernime.

Cila është oferta e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Cilat janë planet e Albin Kurtit dhe ekipit që ai i udhëheq për luftimin e korrupsionit?

A do të jetë kryeministër ai pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Siç dihet, Kurti nuk është certifikuar në listën e Vetëvendosjes nga ana e KQZ-së, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ai mbeti përfundimisht jashtë listës së votuesve.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dorëzuar KQZ-së, listë të re edhe pas vendimit të Supremes, duke e lënë kështu listën e njëjtë.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.