Arben Vitia arsyeton emërimin e njeriut të afërt të VV-së në pozitën e U.D. drejtoreshës së ShSKUK-së

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot në një konferencë për media arsyetoi emërimin e Narqize Arënliu – Hoxhaj si U.D. drejtoreshë të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

Ai u pyet nga KALLXO.com se pse kanë vendosur ta emërojnë dikë që ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje si drejtoreshë në Komunën e Prizrenit e cila është qeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Vitia tha se Narqize Arënliu – Hoxhaj nuk ka qenë anëtare e LVV-së, por ka qenë drejtoreshë si eksperte.

“Në çdo komunë ku ka qeverisë Lëvizja Vetëvendosje, ne kemi marrë edhe ekspertë përveç përkatësisë partiake. Këtë besoj se e dini edhe ju, besoj që e dinë edhe qytetarët, dhe njësoj dhe zonja Arënliu ka qenë drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit nën mandatin e Lëvizjes Vetëvendosje si eksperte, jo si anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo është e para” – u shpreh ai.

Ministri tutje tha se pas dorëheqjes së ish-drejtoreshës, Pranvera Zejnullahu – Raçi, kanë marrë të gjitha masat që ta hapin konkursin sa më shpejt për drejtor të ShSKUK-së, që të mos jetë më me ushtrues detyre.

Kjo pozitë ai tha se i është kërkuar Arënliu – Hoxhajt si përgjegjësi e jo si nder. Dhe siç tha ai, deri në zgjedhjen e drejtorit, u është dashur dikush, që ka aftësi menaxheriale nuk kanë dashur që të eksperimentojnë me dikë që mund ta rëndonte situatën në ShSKUK.

Narqize Arënliu – Hoxhaj deri në ardhjen e saj në këtë pozitë ka qenë Drejtoreshë e Spitalit të Prizrenit.