Arben Gashi për deklarimet e Thaçit rreth aktivistit të LVV-së: Presidenti duhet të tërhiqet

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar ndaj presidentit Hashim Thaçi lidhur me deklarimin e tij se mbrojtja e tij e afërt “ka bërë punë të shkëlqyer” në ndërhyrjen ndaj një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili presidentin e quajti “hajn”.

Gashi ka thënë se presidenti duhet të tërhiqet.

“Fjalori i presidentit Thaçi për arrestimin e një qytetari protestues në sheshin Nëna Terezë është nën çdo nivel të pranueshëm për gjuhën e një bartësi institucional. Gjuha që po përdor presidenti është, thënë minimalisht, gjuhë e përçarjes dhe nxitjes, e jo e bashkimit e pajtimit!”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Gashi ka shtuar se presidenti ka përfunduar detyrimet e tij kushtetuese.

“Komentimet që po vazhdon t’i bëjë për situatën politike nuk janë në frymën e pajtimit, unifikimit dhe përfaqësimit simbolik, frymë që duhet të prezantojë institucioni që ai drejton! Gjuha dhe retorika e liderëve politikë, e veçanërisht e presidentit, duhet me patjetër të pastrohet nga urrejtja, nëpërkëmbja, poshtërimi dhe fyerja e kundërshtarit politik”, thuhet në publikimin e tij.

Presidenti Hashim Thaçi është deklaruar lidhur me incidentin e sotëm gjatë konferencës së tij, kur ai u quajt “hajn” nga një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, përderisa këtë të fundit dyshohet se e kanë rrahur pjesëtarët e mbrojtjes së afërt të presidentit.

“Duhet të marrin fund provokimet e Kurtit dhe njerëzve të tij. Toleranca do të jetë zero që të pretendoj për cenime fizike. Njerëzit të cilët e kanë kryer punën e tyre, e kanë kryer në mënyrë profesionale. Është sjellje me përgjegjshmëri që e kanë njerëzit e afërt”, tha ai në Televizionin 7.

Presidenti shtoi se ky ka qenë provokim për të cenuar presidentin e vendit.

Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se truprojet e presidentit Thaçi kanë goditur dhe kanë rrahur deri në gjakosje aktivistin e tyre, Veron Hasani dhe kanë kërkuar lirimin e tij.

Kjo pasi që presidenti Thaçi teksa po e mbante fjalimin e tij pas formimit të qeverisë, aktivisti ka bërtitur duke thënë “hajn”, e “pronto”, por që i cili më pas u ndalua nga Policia e Kosovës.