Një nga seancat gjyqësore ndaj të akuzuarës Nazire Abdyli, (07.08.2023) Foto: KALLXO.com

Apeli e vërteton vendimin, 11 vjet burg për vrasjen e kunatës në Dragash

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, përmes të cilit Nazire Abdyli është dënuar me 11 vjet burg për vrasjen e kunatës në fshatin Kukë të Komunës së Dragashit në dhjetor të vitit 2022.

Kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit të aktgjykimi të datës 17.05.2024, avokati i të të akuzuarës, Besim Morina, më 22.05.2024, kishte ushtruar ankesë. Ai ka treguar për KALLXO.com se në ankesë ka kërkuar që të prishet vendimi i Themelores dhe dënimi i shqiptuar të ulet në minimumin ekzistues ligjor.

Gjykata e Apelit më 27.05.2024 kishte vendosur të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarës Nazire Abdyli dhe e kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit të datës 17.05.2024.

Në vendimin e Themelore, Abdyli është shpallur fajtore për “vrasje të rëndë”.

“Është fajtore se me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes, motrën e bashkëshortit me të cilën ka jetuar në ekonomi të përbashkët familjare, në atë mënyrë që më 23.12.2022, rreth orës 10:00, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës S. D.” – thuhet në vendimin e Gjykatës Themlore të së Prizrenit të datës 17.05.2024, i marrë nga trupi gjykues me në krye Raima Elezi.

Sipas vendimit të Themelore, viktima 67-vjeçare, Saime Domozeti ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të akuzuarës, në fshatin Kukë të Komunës së Dragashit, ndërsa e akuzuar me një dru të ahut, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë dhe një copë dërrasë të llamperisë e ka goditur disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit.

Si pasojë e këtyre lëndimeve më 26.12.2022 rreth orës 05:30 minuta ishte konfirmuar vdekja e viktimës Saime Domozeti. Në vendimin e gjykatës thuhet se vdekja e saj ka qenë e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakmbledhjes nën cipat e forta të trurit në të dy anët e tij, e shoqëruar me dëmtime. Kjo si pasojë e mjetit të fortë (jo i mprehtë), i cili është konstatuar në raportin autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të datës 27.12.2022.

Në fjalën përfundimtare e akuzuara Nazire Avdyli kërkoi një dënim sa më të butë duke shtuar se ishte kujdesur 35 vjet për viktimën.

“Jam kon e lodhur për vete, kam pas dhimbje këmbëve dhe krejt trupit t’u e ngre viktimën gjatë kujdesit dhe mirëmbajtjes së pastërtisë, nuk e kam lanë pa ushqim, çka kam ngrënë vetë i kam dhënë edhe asaj. Unë jam kujdes plot 35 vjet për shëndetin e saj, sikur të mos e kisha ushqyer ajo kishte vdekë moti, jam shumë e emocionume dhe e dëshpërume me vetveten, prej zorit shumë herë kam kërkuar ndihëm prej shtetit, prej socialit, pastaj prej kunatave, prej kunatit, të gjithëve ju kam thënë hajdeni më ndihmoni dhe të gjithë bashkë me gjete zgjidhje” – kishte deklaruar e akuzuara Avdyli.

Në vendimin e Gjykatës së Prizrenit thuhet se në dënimin prej 11 vjetësh do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 27.12.2022.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.