Foto: Kallxo.com

Anulohet konkursi për kryeshef të Ndërmarrjes Publike Banesore

Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore e ka anuluar konkursin për pozitën e kryeshefit ekzekutiv, i cili ishte shpallur në muajin shkurt.

“Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore pas shqyrtimit të Konkursit për pozitën “Kryeshef Ekzekutiv” – i shpallur në datën: 22.02.2019 dhe i vazhduar në datën: 29.03.2019, në mbledhjen e mbajtur në datën: 03.09.2019, ka vendosur që ky Konkurs të Anulohet”, thuhet në njoftimin e NPB-së.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) e ka monitoruar procesin e rekrutimit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv që tashmë është anuluar.

Më 22 shkurt është shpallur konkursi për Kryeshef Ekzekutiv të NPB-së. Konkursi është vazhduar nga 29 marsi deri më 5 prill 2019.

Me datën 10 prill, Bordi i NPB-së është mbledhur për të shqyrtuar aplikacionet e kandidatëve që kanë aplikuar. Për këtë pozitë kishin aplikuar 24 persona.

Përcaktimi i kandidatëve që kanë hyrë në listë të ngushtë ka zgjatur më shumë se një muaj, ka filluar më 10 prill dhe ka përfunduar më 15 maj.

Prej 24 kandidatëve që kanë aplikuar, 19 prej tyre kanë hyrë në listë të ngushtë. 8 prej kandidatëve janë tërhequr për arsye të ndryshme kurse 11 prej tyre janë intervistuar.

Që nga përcaktimi i listës së ngushtë të kandidatëve që kanë hyrë në listë të ngushtë, deri te fillimi i intervistimit të tyre kanë kaluar 15 ditë. Intervistimi i kandidatëve ka zgjatur 3 ditë, nga 30 maji deri më 1 qershor.

Edhe pse Bordi i NPB-së i ka intervistuar kandidatët për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, ata nuk e kanë bërë poentimin e tyre aty për aty siç ndodh zakonisht nëpër konkurse të këtij lloji.

Por ata kanë deklaruar që do të caktojnë një takim pas 1 qershorit për të bërë poentimin e tyre dhe për të zgjedhur kandidatin më të suksesshëm për këtë pozitë. Por kjo mbledhje nuk është caktuar asnjëherë.

Bordi i NPB-së përbëhet nga Lendita Mekuli-Myderizi – kryetare, Bekim Pireva – anëtar, Xhevdet Leci -anëtar dhe Arbnora Jashanica – anëtare.