Foto: REL/Reuters

Anton Quni flet se kur do të anëtarësohet Kosova në NATO

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, në intervistë në Kallxo Pernime përballë Jeta Xharrës ka thënë se për anëtarësim në NATO Kosova duhet të jetë atraktive për NATO-n, që këta të fundit të kenë interes që në disa fusha apo specializime Kosova mund të kontribuojë.

“Aty ku do të jemi prezent do të ketë pjesëtarë të shteteve që ende kanë rezerva. Natyrisht që në kontakt me ne do të ndryshojnë. Natyrisht që ne e lehtësojmë dhe krijojmë parakushte që kur të ngritët si temë të kemi dispozitat e krijuara. Është e ndërlidhur edhe me dialogun Kosovë – Serbi. Të gjitha këto që po i bëjmë, është një hap më afër anëtarësimit. Në momentin kur ngritët kjo çështje, nuk do të ketë pengesë”, ka thënë Quni.

Sipas tij, FSK-ja ka edhe Shërbim Inteligjent Ushtarak.

“Në vitin 2028 kur të shpallen kapacitetet e plota të FSK-së, çdonjëri që e synon territorin e Kosovës duhet të mendohet mirë. Nëse diçka që duhet me vlerësu, është që kemi ngrit kapacitetet për të vlerësu situatën jashtë Kosovës. Për çdonjërin i dijmë pikat e forta dhe të dobëta, sa janë demoralizu nga luftrat e fundit. Sa forca janë të orientuara nga Kosova, e sa nga Kroacia. Kemi Shërbim Intelegjent Ushtarak të Kosovës, që nga formimi i FSK-së, çdo ditë janë duke u rrit”, ka thënë Quni.

Ai ka thënë se FSK ka arrit me realizu buxhetin 62 milionë, gjatë vitit të kaluar.

“Për momentin ushtarët janë të armatosur me armë sulmuese, armë individuale dhe ditët e fundit kemi arrit të sistemojmë snajperët e teknologjisë së fundit. Jemi në kontraktim edhe të armatimit të rëndë që do të pajisemi këtë vit. Jemi në bisedime për sigurime të armëve kundër luftarakeve e të aviacionit ushtarak. Janë procese në fillim, vazhdim dhe në përfundim”, tha Quni.