
Ekipi Kombëtar i Kosovës në fotografinë zyrtare para fillimit të ndeshjes Rumani - Kosovë, në stadiumin e Bukureshtit | Foto: FFK
Ankesa e Rumanisë për ndeshjen ndaj Kosovës hidhet poshtë nga CAS-i
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, CAS më 13.02.2025 e ka hedhur poshtë Ankesën e Federatës Rumune të Futbollit ndaj dënimeve të UEFA-s për ndeshjen ndaj Kosovës, e cila ishte zhvilluar më 15 nëntor 2024, në Bukuresht.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv konstatoi se dënimet e UEFA-s ndaj Federatës rumune janë të duhurat për shkeljet që janë bërë.
Sipas CAS-it, Federata rumune nuk e kundërshtoi shkeljen e Rregullores së UEFA-s (sjellja raciste dhe diskriminuese e tifozëve), por i kundërshtoi masat disiplinore.
“Paneli vendosi se shkeljet e kryera nga tifozët rumunë ishin serioze dhe se sanksionet ishin në përputhje me Rregulloret disiplinore të UEFA-s dhe jo disproporcionale. Rrjedhimisht, Vendimi i kontestuar u la në fuqi nga Paneli i CAS-it.” – thuhet mes të tjerash në njoftim, më 13.02.2025.
Federata e Futbollit e Rumanisë ishte ankuar në CAS, me pretendimet se dënimet e UEFA-s ndaj saj ishin të larta. Ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës e cila ishte ndërprerë pak minuta para përfundimit, UEFA e kishte regjistruar me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë, por Federatën rumune e kishte gjobitur me 128 mijë euro dhe me zhvillimin e një ndeshjeje pa shikues.
Në minutat shtesë, kur rezultati në ndeshjen Rumani-Kosovë ishte 0:0, pati një përplasje mes lojtarëve të dy skuadrave. Në tribunë u dëgjuan thirrje “Serbia, Serbia” dhe lojtarët e Kosovës morën vendimin për t’u larguar nga fusha.
Në një njoftim për media, CAS ka njoftuar se Ankesa e Federatës së Futbollit të Kosovës është ende në shqyrtim.