Ekipi Kombëtar i Kosovës në fotografinë zyrtare para fillimit të ndeshjes Rumani - Kosovë, në stadiumin e Bukureshtit | Foto: FFK

Vendimi i fundit i UEFA-s, Kosova humb me rezultat zyrtar 3:0 nga Rumania

Institucioni evropian i futbollit UEFA ka dalë me vendim për ndeshjen Rumani – Kosovë, të cilën futbollistët e Kosovës e lanë pak minuta para përfundimit.

Futbollistë e Kosovës e kishin marrë vendimin për t’u larguar nga fusha, pasi sipas tyre vazhdimisht ishin sulmuar me thirrje kundër Kosovës, por që në fund të ndeshjes thirrjet ishin intensifikuar.

UEFA ka vendosur që ta regjistrojë ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 për Rumaninë dhe ka ndëshkuar Kosovën me 6 mijë euro gjobë për shkak të, siç e ka quajtur UEFA në vendim, sjellje të pahijshme të skuadrës.

Në anën tjetër, UEFA i ka shqiptuar disa gjoba edhe Rumanisë.

Rumania është ndëshkuar me 50 mijë euro dhe mbyllje të stadiumit në ndeshjen e ardhshme si vendase për shkak të sjelljes raciste ose diskriminuese, anti-hungarese të tifozëve rumunë.

Ndërsa për thirrjet e tyre ndaj Kosovës, UEFA nuk i ka konsideruar si raciste.

UEFA ka dënuar Federatën Rumune të Futbollit me 30 mijë euro për transmetimin e mesazheve provokuese e politike, të papërshtatshme për ngjarje sportive.

UEFA e ka dënuar Federatën Rumune me vetëm 12 mijë e 500 euro për shkak të reagimeve gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës.

Ndërsa me 8 mijë euro e ka dënuar për laserët që shpeshherë gjatë ndeshjes i kanë penguar futbollistët kosovarë, duke ua drejtuar në sy.

Vendimin e plotë të UEFA-s mund ta lexoni  KËTU.