Ambasadori Minxhozi: Mbi 2.500 telefonata kemi pranuar sot, faleminderit Kosovë!

Me një minutë heshtje për viktimat ka nisur pritja e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë për korin diplomatik me rastin e 107 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, falënderoi qytetarët kosovarë për ndihmën e ofruar për të mbijetuarit e prekur nga tërmeti i sotëm në Shqipëri.

Ai tha se në këtë Ambasadë janë pranuar më shumë se 2 mijë e 500 telefonata.

“Në Ambasadën e Shqipërisë sot janë regjistruar me tepër se 2.500  telefonata. Një pjesë e vogël njiheshim por pjesa tjetër ishin njerëz që kishin vetëm emrin dhe shpirtin shqiptar. Ofruan solidaritetin e tyre, dikush ofronte çelësat e shtëpive të tyre. Në këtë situatë të gjitha vendet e rajonit ishin një me Shqipërinë, por në ballë, Kosova. Faleminderit Kosovë!”, tha ai.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh se 28 Nëntori është ‘nyje’ e cila lidh tokën me historinë dhe gjeografinë.

Ai uroi që flamuri kombëtar të mbahet lart e pastër dhe të prijë në mbrojte të lirisë.

“Jam i lumtur që ne shqiptarët jemi të zotët të garantojmë paqen dhe të mbajmë premtimin e dhënë aleateve se gjithmonë do të mbrojmë pragun e lirisë dhe paqes. Ky flamur na bashkon si në luftë ashtu edhe në dasmë por edhe fatkeqësi. Kam kërkuar sot nga FSK që me të gjitha mekanizmat t’i dilet në ndihmë popullit shqiptar të goditur nga tërmeti”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se 28 Nëntori është festë e shumëfishtë, e që flamurin kuq e zi e quajti ‘flamur i rezistencës’.

“Një festë e cila është thelbi i identitetit kombëtar shqiptar që na bënë të tillë çfarë jemi dhe na i mban gjallë ëndrrat dhe dëshirat tona e të cilët janë edhe ideali i dëshmorëve dhe martirëve të kombit por njëkohësisht edhe dëshirat e rinisë dhe fëmijëve tanë”, u shpreh Kurti.

Ai në këtë rast përmendi edhe viktimat të cilat u shënuan pas tërmetit të fuqishëm në Shqipëri.

“Teksa po kremtojmë sot, nuk kemi se si të mos i shprehim ngushëllime njëri-tjetrit për ata të cilët fatkeqësisht vdiqën sot në gërmadhat e një tërmeti që e tronditi gjithë kombin e jo vetëm të Durrësit”, tha Kurti.

Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm mëngjesin e sotëm në të cilin deri më tani janë shënuar 20 viktima.

Ekipi i KALLXO.com do ju mbajë të informuar nga vendi i ngjarjes.