Bislimi takohet me ambasadorin e Shqipërisë, e uron për hapjen e negociatave me BE-në

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi sot është takuar me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin, të cilit i ka uruar hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë, Bislimi ka thënë se ky hap shënon një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Kosova, sipas Bislimit, e mbështet plotësisht dhe i gëzohet suksesit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.

“Përshpejtimi i procesit të integrimit është jetësor për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ambasadori Minxhozi e falënderoi zëvendëskryeministrin Bislimi për urimin, duke u shprehur se shpreson që së shpejti të ketë dhe hapa konkret për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Shqipëria e Maqedonia e Veriut më 19 korrik kanë nisur negociatat për anëtarësim në BE.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë për media këtë ditë e ka vlerësuar si historike dhe hap të madh për të dyja vendet.

Kroacia është shteti i fundit që është anëtarësuar në BE në vitin 2013.