Takimi Vjosa Osmani- Qemal Minxhozi - Foto: ZPRK.

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin Qemal Minxhozi

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij të deritashëm dhe i uroi suksese në angazhimin e mëtejmë.

Presidenca ka bërë të ditur se me rastin e përfundimit të mandatit të tij, presidentja Osmani e ka falënderuar ambasadorin Minxhozi për angazhimin e tij për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Gjithashtu, sipas njoftimit, Osmani ka vlerësuar bashkëpunimin si dhe përkushtimin e ambasadorit Minxhozi për t’i përafruar edhe më shumë qytetarët e vendeve tona.

“Presidentja Osmani deklaroi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në unifikimin e politikës së jashtme mbetet prioritet, duke thënë se fuqizimi i vazhdueshëm i koordinimit diplomatik është interes jo vetëm i shteteve tona, por edhe i rajonit në tërësi. Në këtë frymë, Presidentja përmendi edhe nevojën e vazhdimit të thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy shteteve tona”- thuhet në njoftim.

Në takim, sipas njoftimit, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend e rajon, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Kosovës, me ç’ rast, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e Shqipërisë që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim.

Presidentja theksoi se shqiptarët në të dy anët e kufirit gjithnjë kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten faktorë stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euroatlantik.