Nga mbledhja e dy qeverive në Tiranë

​Rreth 225 milionë euro shkëmbime tregtare Kosovë-Shqipëri këtë vit

Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë arritur në 225 milionë euro.

Mallrat e eksportuara nga Kosova në Shqipëri, kanë shënuar rritje prej 50 për qind, në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa edhe eksporti i mallrave nga Shqipëria në Kosovë ka rritje në vlerë prej 14.5 për qind. Kjo rritje nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, vlerësohet pozitive dhe e kënaqshme.

Minxhozi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se pret që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022 të ketë rritje edhe më të madhe të shkëmbimeve tregtare.

“Në fushën e shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë, Kosovës dhe anasjelltas, kemi një rritje të kënaqshme. Mallrat (e eksportuara) nga Kosova në Shqipëri kanë shënuar një rritje prej 50 për qind, krahasim me gjashtëmujorin e vitit të kaluar. Dhe mallrat e eksportuar nga Shqipëria në Kosovë, janë rritur në masën 14.5 për qind. Në total ne shkëmbejmë në mes veti 225 milionë euro mallra në gjysmën e parë të vitit 2022. Rritja është diku e përgjithshme dhe pozitive. Besojmë se rritja në gjashtëmujorin e dytë, do të jetë më e madhe fal edhe disa masave organizative që janë marrë nga organet ligjzbatuese të doganave, tatimeve të dy vendeve, duke rritur bashkëpunimin dhe ulur burokracitë. Përsëri ne jemi të vëmendshëm se ka mundësi që ky bashkëpunim të thellohet dhe lëvizja e mallrave dhe shkëmbimeve të kenë një kalim më të shpejtë në kohë dhe shërbim me cilësi”, thotë ai.

Duke folur për hapjen e kufijve mes Shqipërisë dhe Kosovës gjatë fundjavave, ambasadori Minxhozi, tha se baza e turizmit në Shqipëri është Kosova.

Ai shtoi se aktualisht fluksi më i madh i pushuesve kosovarë është në zonën e Shëngjinit dhe Velipojës.

Nga ana tjetër, ambasadori Minxhozi thotë se marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve po zbatohen, derisa përmend projektin e fizibilitetit për hekurudhën mes dy vendeve, për çka thotë se i njëjti pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Si pozitive, Minxhozi përmend dhe zbatimin e marrëveshjes për largimin e kuotave për pranimin e studentëve nga dy vendet dhe marrëveshjen për njësimin e abetares. /Euronews.al