Ambasadori Hovenier ndez qirinj në nderim të policit Afrim Bunjaku

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, bashkë me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar kanë ndezur qirinj në nderim të policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në Banjskë të Zveçanit nga grupi terrorist.

Hovenier ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe kolegëve të policit.

Sonte në disa qytete të Kosovës janë ndezur qirinj në nderim të policit të Kosovës, Afrim Bunjaku i cili u vra në Banjskë të Zveçanit nga grupi terrorist.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Zhvillimet pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit