Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori gjerman përgëzon Kuvendin e Kosovës për miratimin e tri marrëveshjeve të Procesit të Berlinit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës për ratifikimin të tri marrëveshjeve të mobilitetit ku përfshihet lëvizja pa viza me Bosnjë dhe Hercegovinën, njohja e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Ambasadori përmes rrjetit Twitter u shpreh se këto marrëveshje sjellin përfitime për qytetarët e Kosovës dhe nxisin integrim rajonal të vende të Ballkanit në BE.

Rohde ka shtuar se Procesi i Berlinit po tregon rezultate.

“Përgëzime Kuvendit të Kosovës që ratifikoi kaq shpejt tri marrëveshjet e mobilitetit. Ato do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët e Kosovës, do të nxisin masivisht integrimin rajonal të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do t’i sjellin  një hap më afër BE-së. Procesi i Berlinit po tregon rezultate!”- shkroi ai.

Nënshkrimi i këtyre 3 marrëveshjeve mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor,  Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, vjen pas gati dy viteve negociata.

Procesi i Berlinit u themelua në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel.

Kjo iniciativë kishte qëllim krijimin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë  “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit.

Kuvendi ratifikon marrëveshjen për lëvizjen me letërnjoftime me Bosnjë dhe Hercegovinën