Bislimi: Diskutimi në Bruksel nuk u zhvillua rreth dinarit apo Rregullores së BQK-së por rreth mënyrës së zbatimit të Rregullores
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi më 20.03.2024 ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka biseduar rreth takimit të djeshëm të mbajtur në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Sipas njoftimit, Bislimi e informoi ambasadorin që diskutimi nuk është zhvilluar rreth dinarit apo Rregullores së BQK-së, por rreth mënyrës së zbatimit të Rregullores.
“Sa i përket rregullores së BQK-së, Bislimi e informoi ambasadorin që diskutimi nuk është zhvilluar rreth dinarit apo rregullores, e cila nuk është çështje për diskutim apo kontestim, por rreth mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”- thuhet në njoftim.
Po ashtu ai e ka informuar Hovenierin mbi atë se çfarë u trajtua në këtë takim lidhur me Marrëveshjen bazike dhe aneksin e saj për zbatimin.
Ai ka thënë se për Kosovën Marrëveshja është valide në tërësinë e saj, gjë të cilën, sipas njoftimit, ambasadori Hovenier e konfirmoi nga pozicioni i tij.
“Njëkohësisht, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin se delegacioni i palës tjetër, ritheksuan gjatë takimeve të djeshme qëndrimin e Serbisë kundër zbatimit të marrëveshjes dhe rrjedhimisht edhe formalizimit të saj”- thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se u trajtuan edhe një sërë temash të tjera që janë diskutuar gjatë takimit të djeshëm, duke përfshirë artefaktet që Serbia duhet t’i kthejë Kosovës, si dhe shkeljet që po i bëjnë në disa marrëveshje si ajo e energjisë dhe telekomunikacionit, apo në rastin e tentimeve të vazhdueshme të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një takimi me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ka përkujtuar se SHBA-ja kërkon ndryshimin e mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e ndalon çfarëdo valute tjetër pos euros, që të përdoret si mjet pagese në Kosovë.
Pas takimit, diplomati amerikan ka thënë se ka parë shenja pozitive nga takimi që Kosova e Serbia patën një ditë më parë në Bruksel, ndonëse e ka pranuar se nuk ka arritur të mësojë se cilat do të jenë propozimet që Kosova do t’i ofrojë në takimin e radhës në Bruksel, për tejkalimin e situatës së krijuar pas 1 shkurtit kur ka hyrë në fuqi Rregullorja e BQK-së.
“Ai (Besnik Bislimi) nuk propozoi- nuk më dha propozim specifik, por mendoj se qeveria është ende duke punuar në to. Ne duam të jemi konstruktiv në këtë proces por mendojmë se është çështje shumë e rëndësishme që të adresohet” – deklaroi Hovenier.
Hovenier pas takimit me Bislimin: Mënyra e zbatimit të Rregullores së BQK-së duhet të ndryshohet
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se bisedimet e e mbajtura mw 19.03.2024 në Bruksel përfunduan me zotimet e palëve që deri më 22.03.2024 t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit.
Për javën e ardhshme ai paralajmëroi një takim tjetër për të parë nëse dy propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm.
“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë një hapësirë që këto dy propozime të konvergjojnë drejt një propozimi të vetëm që kishte me qenë i pranueshëm për palën kosovare”- u shpreh ai pas takimeve.