Hovenier pas takimit me Bislimin: Mënyra e zbatimit të Rregullores së BQK-së duhet të ndryshohet

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një takimi me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ka përkujtuar se SHBA-ja kërkon ndryshimin e mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e ndalon çfarëdo valute tjetër -pos euros, që të përdorët si mjet pagese në Kosovë.

Pas takimit, diplomati amerikan ka thënë se ka parë shenja pozitive nga takimi që Kosova e Serbia patën një ditë më parë në Bruksel, ndonëse e ka pranuar se nuk ka arritur të mësoj se cilat do të jenë propozimet që Kosova do t’i ofroj në takimin e radhës në Bruksel, për tejkalimin e situatës së krijuar pas 1 shkurtit kur ka hyrë në fuqi Rregullorja e BQK-së.

“Ai (Besnik Bislimi) nuk propozoi- nuk më dha propozim specifik, por mendoj se qeveria është ende duke punuar në to. Ne duam të jemi konstruktiv në këtë proces por mendojmë se është çështje shumë e rëndësishme që të adresohet”, deklaroi Hovenier.

Diplomati amerikan tha se SHBA-ja e respekton BQK-në si institucion përgjegjës për politikat monetare në gjithë territorin e Kosovës, por se kjo çështje, sipas tij nuk ka të bëjë me dinarin, por më mënyrën e zbatimit të rregullores.

“Ne e respektojmë autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës. E kuptojmë që ka përgjegjësi që të qeverisë dhe të përcaktojë politikën monetare për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kjo nuk ka të bëj me dinarin, kjo ka të bëj me mënyrën se si Rregullorja e BQK-së është zbatuar … Siç foli edhe kolegu im Escobar javën e kaluar, ne jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë te popullata e cenueshme, posaçërisht te komuniteti serb”, deklaroi Hovenier.

Të martën u arrit dakordimi mes Kosovës dhe Serbinë që të dërgohen propozime për të dalë nga ngërçi i dinarit. Palët kanë kohë deri të premten për t’i dërguar propozimet, e më pas ato do të diskutohen të hënën në Bruksel në takimin mes kryenegociatorëve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit në Bruksel, më 19.03.2024, tha se bisedimet përfunduan me zotimet e palëve që deri më 22.03.2024, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit.

“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë një hapësirë që këto dy propozime Të konvergjojnë drejt një propozimi të vetëm që kishte me qenë i pranueshëm për palën kosovare”- u shpreh ai pas takimeve.

Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, pjesëtarë të cilit bëjnë pagesa edhe me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.