Ambasadorët amerikanë mbështesin bashkëpunimin Kosovë - Serbi kundër COVID-19

Ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi përmes një video kanë përkrahur bashkëpunimin e Kosovës dhe të Serbisë, si dy shtete fqinje, në luftën kundër COVID-19.

Ambasadori në Kosovë, Philip Kosnett dhe ai në Serbi, Anthony Godfrey kanë shprehur përkrahje për të dyja shtetet, duke thënë se vetëm bashkë mund ta luftojnë coronavirusin.

“Është inkurajuese për të parë ministrat e shëndetësisë të bashkëpunojnë si fqinjë, për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë  dhe më Serbi. Bashkë ne mund të luftojmë COVID-19”, ka thënë ambasadori Kosnett.

Ndërsa ambasadori Godfrey tha se duke punuar bashkë të dyja shtetet, mund të shpëtojnë jetë.

“Beogradi dhe Prishtina po punojnë që të shpëtojnë jetë gjatë pandemisë . Ne mund të shpëtojmë jetë nëse punojmë së bashku”, ka thënë ambasadori amerikan në Serbi, Anthony Godfrey.

Gjatë ditës së djeshme, me ndërmjetësim të Italisë, ministri kosovar i Shëndetësisë, Arben Vitia, me anë të një video-konference ka biseduar me homologun e tij nga Serbia, Zlatibor Lonçar.

Takimi është mbajtur me ndërmjetësimin e ambasadës italiane në Kosovë, ndërsa kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e KFOR-it.