Ambasada e Italisë në Kosovë: Dënojmë sulmin ndaj zyrtarëve të policisë dhe EULEX-it

Ambasada e Italisë së Kosovë ka reaguar pas sulmit që i ka ndodhur mbrëmë ndaj një patrulle të EULEX-it në veri të vendit.

Ambasada ka dënuar sulmet ndaj këtij misioni e po ashtu edhe sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

“Sulmet ndaj policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare si dhe EULEX Kosova nuk ka fare justifikime. Ne i dënojmë këto akte në termat më të ashpër” – thuhet në reagimin e ambasadës.

Një patrullë e EULEX-it është sulmuar me shok-bombë mbrëmjen e kaluar në veri të Kosovës.

Në një njoftim për media, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë dënoi sulmin ndërsa konfirmoi se nga sulmi nuk ka pasur të lënduar.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares” – thuhet në njoftim.

Në njoftim u tha se asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.

Ditëve të fundit situata është tensionuar në pjesën veriore të Kosovës. Fillimisht serbët lokal dyshohet të kenë sulmuar zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor pas fillimit të aktiviteteve për mbajtjen e zgjedhjeve që kanë qenë të planifikuara të mbahen më 18 dhjetor, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Në zonën veriore të Kosovës, vazhdimisht gjatë kësaj jave ka pasur shok-bomba që janë gjuajtur në vende të ndryshme, e madje edhe ka pasur sulm ndaj njësiteve të Policisë e edhe të gazetarëve.

Informatat nga terreni bëjnë me dije se policët e Kosovës janë të vendosur në pikat e tyre dhe janë duke monitoruar situatën, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme njoftoi se në pjesën veriore deri më tani janë vendosur gjashtë barrikada.

Për shkak të vendosjes së këtyre barrikadave, ministri njoftoi se janë mbyllur edhe dy pikat e kalimit kufitar, ajo në Jarinjë edhe në Bërnjak.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sveçla për sulmet ndaj zyrtareve policor tha se u bënë nga grupet kriminale të organizuara.

Ekipi i KALLXO.com vazhdimisht ka qëndruar në këtë zonë dhe ka raportuar për situatën e krijuar atje.