Ambasada amerikane përgëzon institucionet kosovare për konfiskimin e kokainës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përgëzuar autoritetet kosovare për konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të kokainës.

Sipas reagimit të tyre, suksesi ka ardhur përmes partnerëve global.

“Luftimi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës kërkon vendosmëri dhe bashkëpunim ndërkombëtar. U lumtë autoriteteve të Kosovës për konfiskimin e djeshëm të drogës në Lipjan – suksesi përmes partneriteteve globale midis Kosovës, Italisë, Shqipërisë, & DEA-së. Fitore e madhe për sundimin e ligjit”, thuhet në postimin e Ambasadës në rrjetin social “Twitter”.

Shtatë persona të cilët janë arrestuar gjatë ditës së djeshme në lidhje me rastin e konfiskimit të 400 kilogramëve kokainë në qytetin e Lipjanit dhe janë dërguar në ndalim për 48 orësh me vendim të prokurorit special, ndërsa gjatë ditës së sotme ndaj tyre do të kërkohet paraburgimi.

Shtatë të arrestuarit po dyshohen se kanë qenë pjesë e grupit që transportoi drogën në vlerë të rreth 20 milionë euro të llojit kokainë në Kosovë.

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme tregoi edhe se aksioni për identifikimin e rrjetit për transportin e drogës brenda Kosovës, do të vazhdoj ndërsa janë konfiskuar edhe një mori provash të cilat do të përdoren gjatë procedurës së mëtejmë ligjore.

Një sasi prej 400 kilogramë kokainë gjatë ditës së djeshme ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë.

Kjo sasi e cila ishte e fshehur brenda një kamioni që bartte edhe një sasi mishi, ishte ndalur në hyrje të qytetit të Lipjanit e ku më pas kishin ndërhyrë edhe ekipet policore.

Për kapjen e 400 kilogramëve kokainë ishin përdorur edhe masat e fshehta ndërsa sasia sipas të dhënave zyrtarë është nisur nga Brazili, për në Itali më pas ishte ndaluar në portin e Durrësit dhe ishte nisur drejt Kosovës.