Rasti 'kokaina', Prokuroria Speciale do të kërkoj paraburgimin e të dyshuarve

Shtatë persona të cilët janë arrestuar gjatë ditës së djeshme në lidhje me rastin e konfiskimit të 400 kilogramëve kokainë në qytetin e Lipjanit janë dërguar në ndalim për 48 orë me vendim të prokurorit special, ndërsa gjatë ditës së sotme ndaj tyre do të kërkohet paraburgimi.

I kontaktuar nga KALLXO.com, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj konfirmoi shkurt kërkesën për paraburgim.

“Po natyrisht që do të kërkojmë. Po sot”, është përgjigjur Isufaj.

Shtatë të arrestuarit po dyshohen se kanë qenë pjesë e grupit që transportoi drogë në vlerë të rreth 20 milionë eurove të llojit kokainë në Kosovë.

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme tregoi edhe se aksioni për identifikimin e rrjetit për transportin e drogës brenda Kosovës do të vazhdoj ndërsa janë konfiskuar edhe një mori provash të cilat do të përdoren gjatë procedurës së mëtejmë ligjore.

Një sasi prej 400 kg kokainë gjatë ditës së djeshme ka hyrë përmes pikës kufitare Vërmicë e në Kosovë.

Kjo sasi e cila ishte e fshehur brenda një kamioni me sasi mishi ishte ndalur në hyrje të Komunës së Lipjanit e ku më pas kishin ndërhyrë edhe ekipet policore.

Për kapjen e 400 kilogramëve kokainë ishin përdorur edhe masat e fshehta ndërsa sasia sipas të dhënave zyrtarë është nisur nga Brazili, për në Itali më pas ishte ndaluar në portin e Durrësit dhe ishte nisur drejt Kosovës.

Në hetimin e rastit të kokainës kanë bashkëpunuar ngushtë Policia e Italisë, ajo e Shqipërisë, Policia e Kosovës, Prokuroria Speciale në Kosovë, Sektori i Posaçëm i hetimit të Krimit dhe Korrupsionit në Shqipëri.

Pas aksionit për konfiskimin e drogës së llojit kokainë të gjithë institucionet e lartpërmendura kanë mbajtur një konferencë për media ku shpalosën detaje të organizimit të hetimit dhe sekuestrimit të narkotikëve.

(VIDEO) Pamje e vendit ku është lokalizuar droga e kapur nga Policia