Aliu: Prioritet për ne është që Kosova të shndërrohet në vend tranzit për transport të mallrave dhe udhëtarëve
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu, ka thënë se prioritet për qeverinë është që Kosova të shndërrohet në vend tranzit për transport të mallrave dhe udhëtarëve.
Duke raportuar para Komisionit për Mjedis, në lidhje me buxhetin e ministrisë për vitin 2024, Aliu tha se kryesore mbetet kyçja e Kosovës nëpër koridoret me vendet fqinje që të shndërrohet në vend tranzit.
“Ndër to hyn edhe projekti që lidh Qafën e Dulës me udhëkryqin e autostradës që të çon pastaj për Gjilan dhe pastaj prej aty me e çu te Dheu i Bardhë. Kjo kyçje nuk ka me i shërby vetëm Kosovës, por edhe Malit të Zi e Shqipërisë” – deklaroi Aliu.
“Është edhe projekti Prizren – Tetovë, i cili ka fizibilitet, jemi duke punuar edhe në dizajn. Ne e kemi bërë vendimin për shpronësim, e hapim shpejtë prokurimin”.
Ndërsa për projektet e rrugës Dollc – Gjakovë dhe Prishtinë – Gjilan, ministri Aliu tha se janë dy projekte që ministrisë së tij i kanë shkaktuar më së shumti probleme dhe vonesa, për shkak të sipas tij elementeve të paparashikueshmërisë gjatë punimeve.
“Te këto sapo të hecësh një kilometër ki me has në problemin e radhës. Pra janë të dyjat edhe Prishtinë – Gjilan edhe Dollc – Gjakovë me telashe të shumta që na kanë marrë shumë kohë. Veç me shpronësime sa jemi marrë, e sa jemi duke u marrë e nuk e di a po i zgjidhim krejt, për sa i përket pjesës së Gjakovës po, por për te pjesa e Klinës është shumë e paparashikueshme” – deklaroi Aliu.
Gjatë raportimit të tij, Aliu ka folur edhe për premtimin e Qeverisë Kurti për ndërtimin e banesave për çiftet e reja, duke thënë se në fillim të vitit 2024 ka gjasa që të fillojë projekti në pesë komuna të Kosovës.
“Te banimi i përballueshëm i kemi njoftuar komunat dhe shpejtë dalim me kërkesë për to, me na propozu lokacionet që i kanë. Nga takimi me komunat, del që me të Pejës dhe Drenasit mundemi qysh në start me fillu. Në fillim të vitit që vjen së paku pesë komuna kanë me fillu këto, ministria ka me i marrë përsipër dizajnin dhe financimin, ato kanë me i gjetë lokacionet dhe pjesën e dhënies së lejeve” – tha ai.
Në anën tjetër, në lidhje me projektet ujore, Liburn Aliu tha se ministria e tij është duke punuar në dy rrafshe, menaxhimin e vërshimeve dhe krijimin e rezervave të ujit.
“Janë planet e vjetra, tash jemi duke e bo masterplanin për të gjitha komunat që kanë të bëjnë me shkaktarët e vërshimeve dhe aspekti tjetër është shtrati i lumenjëve, pra harta e rrezikut nga vërshimet, që mandej dalim me projektet për rehabilitimet e shtretërve të lumenjëve”.
Aliu po ashtu tha se nuk mund të pritet që brenda këtij mandati ndonjë digë ujore të fillojë të funksionojë. Ai tha se brenda mandatit mund të pritet fillimi i ndërtimit të digave.
“Gjatë këtij mandati mbase mund të fillojë puna për ndërtimin e digave, mbase mund të dalin pozitive rezultatet e fizibilitetit që me fillu dizajnet, por është projekt për 10-15 vite e ne duhet me dyfishu kapacitetin ujor, sepse e kemi të limitun” – tha ndër të tjera Aliu.
Kurse zëvendësministri Hysen Durmishi ka bërë ditur se ministria ka 19 kontrata për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, ku 4 prej tyre janë për autostrada dhe 15 të tjera janë për rrugë nacionale dhe regjionale.
Për vitin 2024 Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka buxhet prej 265 milionë e 445 mijë eurove. Prej tyre për investime kapitale do të shkojnë 223 milionë e 168 mijë euro; mallra dhe shërbime 34 milionë e 940 mijë; paga dhe mëditje 5 milionë e 212 mijë; dhe shpenzime komunale 481 mijë euro.