Foto: Aleksandar Vuçiq/Instagram

Aleksandar Vuçiq takon ambasadorët e QUINT-it në Serbi

Situata në veri të Kosovës pas sulmit të së dielës ka qenë tema e takimit të cilin Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka zhvilluar sot ambasadorët e vendeve të Quint- Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi.

Vuçiq në instagram ka shkruar se ‘në një nga momentet më të vështira për Serbinë’ ka zhvilluar një bisedë të rëndësishme me të pranishmit.

“Përsërita qëndrimin e Serbisë për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe Metohi dhe kërkova që KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës në vend të policisë së Kurtit. Po ashtu kam pyetur se pse EULEX-i është refuzuar nga policia e Kosovës të marrë pjesë në vetë operacionin, i cili është kryer në territorin e veriut të Kosovës”- ka shkruar ai.

Qeveria e Serbisë ka shpallur të mërkurën ditë zie për të vrarët e grupit terrorist.

Serbi, nesër ditë zie për të vrarët e grupit terrorist

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.

Vendet e QUINT në reagimet e tyre kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe kanë kërkuar që autorët të sillen para drejtësisë.