Akuza të reja mbi katër krerët e UÇK-së, përmenden edhe arrestimet politike

Nga dita e djeshme, katër krerët e UÇK-së që po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë pritet të përballën me akuza të reja. Kjo pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime sipas prokurorisë janë kryer edhe në konviktet e Gjilanit, në Budakovë dhe Semetishtë.

Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se 12 persona ishin ndaluar dhe dërguar në Budakovë. Arrestimet përshkruhen se kishin ndodhur në vitet 1998 dhe 1999. Në mesin e të ndaluarve kishte edhe shqiptarë.

Sipas prokurorisë, dy shqiptarët që ishin ndaluar, ishin dërguar në një bodrum në Budakovë ku ishin lidhur e rrahur. Ata ishin arrestuar pasi konsideroheshin tradhtarë. Sipas prokurorisë, njëri nga të arrestuarit, i cili ishte i ri në moshë ishte torturuar me ujë të nxehtë, më ç ‘rast si pasojë e ujit të vluar është i paaftë për të ecur.

Shtëpia në Budakovë në aktakuzën e prokurorisë përshkruhet se ndodhej në afërsi të Shtabit të UÇK-së.

Aktakuza përshkruan se dhjetë nga të arrestuarit u liruan ose arritën të arratiseshin, ndërsa dy të arrestuar vdiqën. Njëri nga ta pretendohet se ishte parë për herë të fundit në paraburgim të UÇK-së.

Sipas Prokurorisë, në këto raste pjesëtarët e UÇK-së kishin keqtrajtuar, torturuar dhe ndalur pa ndonjë vendim gjyqësor persona të cilët pretendonin se kishin bashkëpunim me serbë ose ishin përkrahës të LDK-së.

Në të njëjtin vend, dy ushtarë të UÇK-së përshkruhet se e kishin rrahur një të ndalur dhe ia kishin thyer dhëmbët me kallashnikov. Ai përshkruhet se ishte rrahur deri sa kishte vdekur.

Krime të ngjashme përshkruhet se kishin ndodhur edhe në Konviktin e Gjilanit.

Lidhur me këto raste, katër krerët e UÇK-së akuzohen për krime dhe vrasje, tortura, keqtrajtim në bazë të përgjegjësisë komanduese.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po vazhdojnë të mbahen në paraburgim pasi gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se akoma ekzistojnë rreziqet që njëjtit t`i ikin gjykatës ose të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale.

Ata ishin arrestuar në nëntor të vitit të vitit 2020 nën akuzat për krime të luftës pasi aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar.

Të gjitha akuzat që prokuroria pretendon se ishin kryer nga ata e tyre ishin hedhur poshtë nga katër krerët e UÇK-së.

Sipas prokurorisë së specializuar gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999, Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli akzuohen se kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin, të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës

Pjesë e aktakuzës 68 faqesh të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona, disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë link.