Aksioni në veri i ligjshëm për autoritetet kosovare, zhgënjyes për aleatët ndërkombëtarë

Mbyllja e gjashtë njësive të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, nga Policia dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Operacioni i zhvilluar në pasditen e 20 majit 2024, rezultoi me konfiskimin e provave të ndryshme materiale, siç janë: rreth 1.6 milionë euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga dhe mbi 13 mijë dollarë amerikanë.

Disa qytetarë serb kanë organizuar një tubim para policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në këtë aksion. Ata kanë raportuar se dyert e objektit të Postës janë thyer. Ky aksion i Policisë së Kosovës ka nxitur reagime te faktori ndërkombëtar. Ky veprim i autoriteteve kosovare po cilësohet si i pakoordinuar dhe se mund t’i përshkallëzojë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Kallxo.com, që janë të zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të tilla në zyrat financiare në veri të Kosovës me udhëzim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet”-  thuhet në përgjigjen e DASH-it.

Ky “aksion i pakoordinuar”, sipas zëdhënësit të DASH-it, minon perceptimet për mirëbesimin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Çështjet që lidhen me këto zyra kanë qenë objekt i diskutimeve të gjata në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE”-  thuhet më tej në përgjigjen e DASH-it.

Sipas zëdhënësit të Departamentit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive për të mbështetur përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, së fundmi nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj.

Shtetet e Bashkuara përsërisin shqetësimet e tyre të qarta për zbatimin e rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës që kufizon importin dhe përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

DASH i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë ato të minoritetit serb- i ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në Rregulloren e monedhës.

Njëjtë, edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësimin se veprime të tilla të pakoordinuara përshkallëzojnë tensionet.

“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë”- shkruan në reagimin e ambasadës në platformën “X”.

Ambasada ka inkurajuar autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha që nuk është në dijeni për reagimin e DASH, por “veprimi është i bazuar në ligjshmëri”.

“Nuk është se ka ndodhur dje ai aktivitet ishte që këto aktivitete apo zyra kanë filluar aktivitetin në 2018, dhe kanë vazhduar të zhvillojnë aktivitetin në mënyrë të paligjshme dhe pa u njoftuar organet përgjegjëse të rendit”- tha ai në një konferencë për media më 21.05.2024.

Murati shtoi se ka pasur dyshime të bazuara se atje po zhvillohej aktivitet financiar në kundërshtim me ligjin.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka theksuar se ky aksion është zhvilluar me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit.

Sipas tij, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi për të cilin janë zotuar në vazhdimësi.

“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”- shkroi Sveçla në Facebook më 20.05.2024.

Policia kishte bërë të ditur se pas mbylljes së gjashtë njësive në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre.

“Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së 6 njësive të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës”- ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ky aksion pasoi një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pak pa përfunduar periudha tranzitore për çështjen e dinarit, kishte thënë se duhet të pyetet Banka Qendrore e Kosovës, pasi që “nuk jetojmë në një shtet diktaktorial” ku kryeministri përzihet në punën e institucioneve të pavarura.

Këtë përgjigje, ai e ka dhënë kur është pyetur se çfarë plani ka Qeveria “mbi tavolinë” kur të përfundojë afati për periudhën tranzitore për dinarin, apo më saktësisht- çka pas 11 majit 2024? “Pas 11 majit, vjen 12 maji”, u shpreh Kurti më 08.05.2024.

E kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e cilësoi aksionin si “akt barbar që drejtpërdrejt kërcënon mbijetesën e popullit serb” në Kosovë.

“Kujt dhe pse po iu pengon Banka Postare Kursimore? Për shkak të çekut. Serbët në Kosovë janë komuniteti i vetëm në Evropë që nuk mund të operojnë normalisht. A kanë të drejtë ata që të kenë paga dhe pensione? Apo asgjë nuk iu lejohet”, tha Vuçeviq, sipas një njoftimi të Qeverisë serbe.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në reagimin e tij për këtë aksion, tha se kryeministri Kurti vazhdon “me terror ndaj popullit serb” në Kosovë, duke kryer “bastisje në degët e Bankës Postare Kursimore”.

Ai shtoi se “kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme”.

Për aksionin e 20 majit reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe duke pretenduar se gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka “keqtrajtuar” punonjësit e institucioneve serbe.

“Është shqetësues fakti që pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it ishin vëzhgues të heshtur të aksionit të sotëm të paligjshëm dhe të dhunshëm në veri të Kosovës. U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që urgjentisht të ndalojnë Kurtin dhe të mbrojnë paqen dhe popullin serb në Kosovë”- shkruan në reagim.

As në takimin e shtatë mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë të mbajtur më 15.05.2024 në Bruksel lidhur me çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës nuk ishte arritur asnjë zgjidhje.

“BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për gjetjen e një marrëveshjeje kompromisi në të ardhmen”- kishte njoftuar Bashkimi Europian.

Më 01.02.2024 në Kosovë hyri në fuqi një Rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Me Rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.