Ilustrim

AIP gjen se kamerat e vendosura në ndërtesa kolektive shkelën të dhënat personale, urdhëron fshirjet e tyre

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka urdhëruar shkatërrimin e të gjitha pamjeve të kamerave të vendosura në ndërtesa kolektive pasi sipas këtij institucioni kamerat janë të vendosura në kundërshtim me ligjin.

Sipas AIP, kamerat e vendosura në këto ndërtesa duhet të përdoren vetëm për sigurinë e banorëve dhe në asnjë rast të mos ndahen me palë të treta pa ndonjë urdhër gjykate.

“Në çdo rast kur të dhënat personale të marra përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë publikohen dhe ndahen me palët e treta, pa bazë ligjore, përveç organeve të rendit dhe sigurisë (Policisë), të cilët kanë bazën ligjore për përpunim të mëtutjeshëm për qëllime të hetimit”, thuhet në komunikatë.

AIP në një komunikatë të lëshuar ka treguar se ka inspektuar disa lokacione në bazë të ankesave dhe ka vërejtur se kamerat e vendosura kanë qenë të vendosura në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave.

AIP ka bërë të ditur se nëse pamjet e kamerave ndahen me palë të treta atëherë do të ndërmerren masa sanksionuese ndaj kontrolluesve apo përpunuesve të të dhënave personale, të cilët publikojnë sekuencat e marra nga vëzhgimit me kamerë.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi ndalon përpunimin e të dhënave personale dhe urdhëron shkatërrimin e tyre në ndërtesa kolektive të grumbulluara jashtëligjshëm përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë. AIP, në të gjitha rastet ka zhvilluar inspektime dhe në bazë të gjendjes faktike, ka ndërmarrë veprimet për ndalimin e përpunimit të të dhënave personale deri në përmbushjen e kritereve ligjore, si dhe ka urdhëruar shkatërrimin e të dhënave personale të grumbulluara përmes vëzhgimit me kamerë”, thuhet më tej në komunikatën e AIP.

Në komunikatë thuhet se AIP, gjatë inspektimit të këtyre rasteve ka konstatuar se qëllimi i vetëm i vendosjes së vëzhgimit me kamerë në ndërtesa kolektive, ka qenë siguria e njerëzve dhe pronës.

Në rastet kur ka shkelje të të dhënave personale AIP ka të drejtë të urdhëroj eliminimin e parregullsive, të ndalojë përkohësisht dhe në mënyrë të caktuar përpunimin e të dhënave personale dhe të këshilloj me shkrim kontrolluesin ose përpunuesin e  të dhënave në rastet e shkeljeve të vogla dhe si masë e fundit të shqiptoj gjobë, në rastet e publikimit të këtyre të dhënave, apo kur kemi përsëritje të shkeljeve të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

AIP deri më tani ka trajtuar gjithsej 50 ankesa që nga funksionalizimi i këtij institucioni.