Protesta e AGK-së së datës 31 korrik 2023

AGK mirëpret vendimin e Gjykatës për rastin e Klan Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale, që ka aprovuar ankesën e televizionit Klan Kosova për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë.

Sipas AGK-së, vendimi i sotëm mundëson vazhdimin e operimit të punës së televizionit Klan Kosova, “përkundër vendimit të qeverisë së Kosovës për ta mbyllur atë”.

“Në vendimin e gjyqtarit, Arnis Dumani, thuhet se “gjykata po ashtu vlerëson faktin se paditësi e ushtron funksionin e ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale dhe përderisa vazhdimi i ushtrimit të njëjtit funksion nuk përbën shkelje të interesit publik, gjykata në këtë rast vlerëson se mos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese do të ishte pikërisht në kundërshtim me interesin publik dhe garancioneve që përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë për lirinë e mediave”.

“AGK-ja, do të monitorojë nga afër procedurat e tjera në vazhdim, me shpresën që epilogu i shpejtë do të përmbyllë këtë episod të përpjekjes së qeverisë për të minuar lirinë e medies në Kosovë”- thuhet në komunikatën e AGK-së.

Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesën e televizionit Klan Kosova për masën e sigurisë.

Kësisoj, Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesën e Klan Kosova për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kontestuese të nxjerra nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të MINT.

Ekzekutimi i këtyre vendimeve shtyhet derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor.

Më 31 korrik 2023, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovoës në shenjë revolte ka mbajtur protestë lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Në protestë kanë marrë pjesë dhjetëra gazetarë, përfaqësues të mediave dhe të shoqërisë civile.

Kjo pasi, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.

Sipas njoftimit të MINT, këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.