Agim Veliu emërohet Koordinator Nacional për Luftën Kundër Terrorizmit

Qeveria e Kosovës ka emëruar Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, Koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit.

Këtë e ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media.

“Më këtë vendim, ai do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara për koordinimin, bashkërendimin, monitorimin dhe raportimin e implementimit të politikave, aktiviteteve dhe veprimeve lidhur me çështjet  e luftimit të terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Agim Veliu do ta këshillojë kryeministrin Hoti lidhur me çështjet që kanë të bëjnë më luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

“Koordinatori do të këshillojë Kryeministrin lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e terrorizmit, dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin dhe do të koordinon aktivitetet e të gjitha institucioneve relevante në çështjet e luftimit të terrorizmit dhe masave kundër ekstremizmit të dhunshëm”, thuhet në njoftim.

Qeveria e kaluar kishte shkarkuar të gjithë koordinatorët nacional nga pozitat e tyre.

Qeveria voton emërimin e Kordinatorit Nacional për luftimin e terrorizmit