Ilustrim: Aeroporti i Prishtinës - Foto: Aeroporti

 Aeroporti Ndërkombëtar i gatshëm të hapet për udhëtarët, pret vlerësimin nga IKSHP

Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës po bëjnë vlerësimet dhe përgatitjet e duhura për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas një njoftimi nga AAC, ka thënë edhe se të gjitha rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit në aviacion do të zbatohen.

“Njoftohen të gjithë operatorët ajrorë, udhëtarët dhe palët tjera të interesuara se Autoriteti i Aviacionit Civil, në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse janë duke bërë vlerësimet dhe përgatitjet e duhura për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime ajrore, duke u siguruar se të gjitha rekomandimet e dala nga protokolli ndërkombëtar i sigurisë për mbrojtjen e shëndetit në aviacion do të zbatohen”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Aviacionit Civil.

Tutje në njoftim thuhet se pas vlerësimit të situatës pritet që Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Ministrinë e InfrastruktuPrës të propozojnë në Qeverinë e Kosovës hapjen e aeroportit.

“Pritet vlerësmi n ga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në lidhje me situatën aktuale shëndetësore me COVID-19 dhe në momentin e një rekomandimi pozitiv nga ky Institut, Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës do t’i propozojnë për vendimmarrje Qeverisë hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime të rregullta”, thuhet në fund të njoftimit.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka anuluar fluturimet e rregullta për shkak të pandemisë COVID-19.