Abdixhiku takon Shyqri Nimanin, kaligrafistin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka takuar autorin e kaligrafimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, Shyqri Nimanin.

Abdixhiku në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës i ka shprehur mirënjohje Nimanit për të gjithë krijimtarinë e jashtëzakonshme artistike në shërbim të vendit.

“Plot 16 orë ia kishte dedikuar bukurshkrimit të dokumentit më të rëndësishëm të Kosovës, të aktit themeltar të shtetit, Deklaratës së Pavarësisë. Krahas veprimtarisë së bujshme artistike, me një jetë në shërbim të artit e kulturës, artisti i madh profesor Shyqri Nimani e cilëson një nga momentet më të rëndësishme përzgjedhjen si kaligrafist i Deklaratës së Pavarësisë”- ka shkruar në Facebook, Abdixhiku.

Shyqri Nimani është autor i kaligrafimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Nimani i takon gjeneratës së artë të krijuesve pamorë të Kosovës. Nimani merret me pikturë, grafikë, dizajn dhe me disiplina të tjera të arteve figurative.

Është autori i disa monografive, ndër to edhe monografisë për artin mesjetar dhe bashkëkohor shqiptar.