Abdixhiku, Quni e Haziri, kandidatë për kryetar të partisë, konfirmon LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka konfirmuar kandidaturat e deritashme të zyrtareve të saj për kryetar të partisë për zgjedhjet të cilat pritet të mbahen të dielën.

“Dëshirojmë ta njoftojmë anëtarësinë e LDK-së, se deri më tani kanë paralajmëruar kandidaturat për kryetar të LDK-së, z. Anton Quni, nënkryetar  i LDK-së dhe kryetar i degës së LDK-së në Prizren, z. Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, kryetar i komunës së Gjilanit dhe i degës së LDK-së në Gjilan dhe z. Lumir Abdixhiku, anëtar i Kryesisë së LDK-së”, thuhet në njoftimin e partisë.

Po ashtu, LDK ka thënë se në ditët në vijim priten paralajmërime për kandidim edhe të pretendentëve tjerë.

Zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt, Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit e treta, pas kësaj rënie të partisë, kryetari i saj Isa Mustafa dha dorëheqje.

Anton Quni, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku kanë shpallur kandidaturat e tyre për të drejtuar këtë parti.