Abdixhiku pret që deputetët e LDK-së të jenë në një vijë me partinë në zgjedhjen e presidentit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në ‘Debat Plus’ në RTV Dukagjini ka folur për zgjedhjen e presidentes dhe qëndrimin e LDK-së në lidhje me këtë pozitë.

Abdixhiku ka thënë se pret që deputetët e LDK-së të jenë në një vijë me partinë në raport me zgjedhjen e presidentit.

“Nuk është hera e parë që ka pasur një vendim të kryesisë dhe që nuk është respektuar prej deputetëve por kam përshtypjen se është krijuar një precedent që po përsëritet vazhdimisht brenda LDK-së.  Nuk e di kur do të jetë koha e fundit që të ndërprejmë këtë precedent në LDK. Unë vet në të kaluarën kam respektuar vendimet partisë dhe do të ishte mirë që edhe në të tashmen edhe në të ardhmen të jemi unikë si parti”, ka thënë Abdixhiku.

Ai tha se do të mundohet të krijojë unitet brenda partisë se dalin më mirë si LDK.

“Ata njerëz që kanë respektuar vendimet e LDK-së historikisht janë njerëz që kanë kontribuar shumë dhe do të ishte e udhës që edhe në tashmen edhe të ardhmen të kemi një vijë të qarte politike”, ka thënë ai.

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot ka dhënë lajmin se ai së bashku me kolegët nga partia do të përkrahin zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Këto deklarime Abdixhiku i bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar të LDK-së.

“Të gjithë, bashkërisht, kemi marrë vendim që LDK nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit”, tha kryetari i LDK-së para mediave të martën.